Një shpërthim bombole gazi, fatmirësisht pa pasoja për jetën u regjistrua sot rreth orës 11:20, në një piceri, te kompleksi “Delijorgji”, në kryeqytet.
Si pasojë e shpërthimit të lënduar mbetën pronari, 40 vjeç dhe punonjësi i tij 28-vjeçar. Të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim të specializuar.
Sipas të dhënave paraprake bëhet me dije piceria është ende në proces hapje. Ndërkohë raportohet se bombolat e gazit kanë qenë të instaluar në katin e parë, ndërsa kanë qenë të lidhura me katin sipër përmes tubave.
Pronari dhe punonjësi kur kanë hyrë brenda nuk e kanë ndjerë aromën e gazit që ka pasur rrjedhje dhe kanë nisur punën. Në një moment brenda subjektit ka ndodhur një shkëndijë dhe aty ndodhi edhe shpërthimi.
“Rreth orës 11:20, në Rrugën e Kavajës, te kompleksi “Delijorgji”, në një ambient aktualisht jofunksional, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë janë dëmtuar pronari i ambientit, shtetasi B. D., rreth 40 vjeç, dhe punonjësi i tij, shtetasi K. B., rreth 28 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital”, njoftoi sot policia.
Siç shihet edhe nga pamjet e sigurara nga Report Tv shpërthimi ka qenë tejet i fuqishëm, duke dëmtuar të gjithë fasadën e jashtme të subjektit. Ndërkohë edhe një pjesë e fasadës së një biznesi aty pranë është dëmtuar gjithashtu.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.














