Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin e një personi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në një ambient festiv, ku për fat të mirë nuk pati persona të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Liman Kaba”, me datë 01.01.2024.
Blutë bëjnë me dije se pas ngjarjes u shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas, të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar.