Tre të mitur janë proceduar penalisht pasi, përvetësuan shuma të ndryshme parash, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, duke hapur llogari me të dhëna false në rrjetet sociale.
Policia bën me dije se gjatë monitorimeve të këtyre llogarive janë konstatuar publikime të ndryshme në të cilat premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme monetare, dhe menjëherë është organizuar puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Pas një pune të mirëorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Takimi”, në kuadër të cilit u identifikuan dhe proceduan penalisht tre shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç.
Tre autorët, krijonin llogari me të dhëna të falsifikuara të shtetaseve të ndryshme, dhe me anë të postimeve në këto profile, premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme. Administratorët e këtyre profileve, kërkonin nga të interesuarit që pagesa të kryhej në disa vendndodhje të përcaktuara prej tyre, i merrnin paratë pasi i orientonin të interesuarit për vendet ku duhej të lihej pagesa dhe më pas largoheshin duke i bllokuar personat në llogaritë e tyre, në rrjetet sociale ku komunikonin.
Të miturit përvetësuan shumën rreth 30 000 euro./Opinion.al