Tirana ka hedhur një hap drejt finales së madhe të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë mposhtën në takimin e parë gjysmëfinal 3-0 Teutën dhe 90 minutëshi i kthimit mund të rezultojë formalitet për skuadrën e Orges Shehit.
Kryeqytetasit ishin dominues në fushën e lojës dhe me synime të qarta për të prekur finalen e madhe. Rastet e shumta të krijuara u konkretizuan vetëm në fundin e pjesës së parë. Futbollisti i momentit, Florent Hasani i shpëtoi pozicionit jashtë loje dhe pas një sprinti nga mesi i fushës fitoi garën me mbrojtësit dhe shënoi golin e epërsisë.
Një avantazh që dërgoi Tiranën në dhomat e zhveshjeve më të qetë. Në fraksionin e dytë, tekniku Edi Martini u përpoq të ndryshojë fytyrën e Teutës, por ndryshimet nuk sollën rezultatin e pritshëm. Madje, Tirana e shfrytëzoi në maksimum, me Bruno Lulaj që shënoi edhe golin e dytë.
Llogaritë e këtij 90 minutëshi i mbylli Lushkja me një gol tepër të bukur. Me avantazhin e trefishtë, Tirana shkon e qetë në duelin e kthimit, që do të luhet në 11 maj në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët i pret një sfidë tepër e vështirë, teksa Tirana është shumë pranë dopietës së titujve, pasi kryeson bindshëm renditjen edhe në Superligën shqiptare./ Klan News