Tifozët e Kroacisë kanë përfunduar në qendër të vëmendjes pas tymuesve të hedhur në ndeshjen kundër Republikës Çeke, që kanë shtyrë arbitrin të pezullojë takimin për gjashtë minuta. Në momentin e këtyre rrëmujave kroatët po kryesonin ndeshjen 2-1 dhe pas rifillimit të ndeshjes, çekët kanë gjetur golin e barazimit në minutat e fundit falë një penalltie. Ultrasit kroatë kanë shpjeguar se gjesti i tyre ka qenë në shenjë proteste kundër Federatës Kroate të Futbollit.
Por duket se dhuna do të vazhdojë, siç lë të kuptohet imazhi i postuar në faqen e Facebook-ut të tifozerisë kroate ultras “Torcida Split 1950”. Në prag të ndeshjes së tyre të fundit të Grupit D, që Kroacia do të zhvillojë nesër kundër Spanjës, imazhi tregon vendet ku do të qëndrojnë tifozët në stadium. Pamja është krijuar, në mënyrë jo shumë cilësore, me Microsoft Paint. Askush nuk mund të arrijë të deshifrojë domethënien e kësaj harte, por nëse ky plan do të vihet në zbatim do të jetë një problem i vërtetë për tifozët e mirëfilltë dhe organizatorët, të cilët janë përballur me një sërë incidentesh të krijuara nga tifozët gjatë këtij turneu./Telesport.al