Përmes një reagimi në rrjete sociale Ambasada e SHBA në Tiranë ka përgëzuar tetë prokurorët, të cilat ditën e sotme u betuan si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme.
Sipas postimit të ambasadës së SHBA ky është një hap i rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK).
“Shtetet e Bashkuara qëndruan krah Shqipërisë kur reforma në drejtësi u miratua në 2016-ën. Ne ishim aty kur filloi procesi i vetingut dhe ndërsa themeloheshin këshilli i lartë gjyqësor dhe këshilli i lartë i prokurorisë. Edhe sot, i Ngarkuari me Punë Daniel Koski ishte aty ndërsa tetë prokurorët e rinj të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK) bënë betimin e tyre përpara Presidentit Ilir Meta. Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të qëndrojnë në krah të atyre që janë angazhuar për t’i sjellë shqiptarëve sistemin etik dhe transparent të drejtësisë që ata të gjithë meritojnë”,-shkruhet në postimin e bërë nga Ambasada e SHBA./Opinion.al/