Presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç i është dërguar ftesë zyrtare që të bëhet pjesë në inaugurimin e Hashim Thaçit kryetar të Kosovës.
Lajmin për këtë ftesë e ka publikuar gazeta e Beogradit “Danas” duke cituar burime jozyrtare nga Prishtina. Inaugurimi i presidencës së Hashim Thaçit bëhet më 7 prill e për këtë rast është parashikuar një ceremoni në të cilën janë ftuar 500 personalitete nga vendi, rajoni e bota.
Gazeta e Beogradit, duke shkruar për këtë ngjarje thotë se Nikoliç deri më tani nuk ka marrë pjesë në asnjë takim ndërkombëtar ku ka qenë i pranishëm Thaçi e disa herë është takuar me Atifete Jahjagën, por ato takime nuk kanë pasur asnjë karakter formal.
Thaçi më herët, në një bisedë për “Standardin” e Vjenës kishte paralajmëruar se do ti bënte ftesën Nikoliçit për të marrë pjesë në inaugurimin e tij.
“I gëzohem ftesës që do t’ia dërgojë kryetarit Nikoliç”, kishte thënë ai atëherë. “Kjo nuk është gjë e re, ne jemi takuar edhe më parë”, ka shtuar Thaçi. /Koha