PRISHTINE- Disa deputetë kanë filluar nënshkrimet për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohet Hashim Thaçi për president. Partnerët e koalicionit e mbajnë sekret datën e votimit të presidentit, shkruan gazeta Zëri.
Nisjen e grumbullimit të nënshkrimeve e kanë konfirmuar deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse nuk kanë bërë të ditur se kur mund të dorëzohen në Kryesinë e Kuvendit për të proceduar thirrjen e seancës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se para disa ditëve një numër i deputetëve e kanë nënshkruar një nismë për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme.
“Ka të tillë që para disa ditësh kanë firmosur, ka të tillë që ende nuk e kanë firmosur, por këto janë procedura që janë të natyrës ligjore dhe votat ekzistojnë dhe nuk do të ketë ndonjë problem në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se ende nuk dihet se kur do të dorëzohen nënshkrimet në Kryesinë e Kuvendit.
***
Sakaq opozita sot ka njoftuar se do të ngre disa tenda pranë Qeverisë së Kosovës, për të pamundësuar mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Hashim Thaçit president i vendit.
Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj ka menduar që mbështetësit e tyre të rrinë me orare të caktuara në tenda, duke mos i lënë për asnjë moment bosh. Opozita ka planifikuar të qendrojë non-stop në tenda deri të enjten kur mblidhet parlamenti.