Qeveria italiane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend për tërmetin shkatërrues që goditi Italinë Qëndrore një ditë më parë.
Në një mbledhje të posaçme, Këshilli i Ministrave të Italisë vendosi që të akordojë fondin prej 50 milionë Euro për zonat e prekura nga lëkundjet sizmike. Ka qenë vet Kryeministri Matteo Renzi që njoftoi për këtë vendim të Këshillit të Ministrave.
“Rindërtimi i këtyre fshatrave është prioritet i Qeverisë”, u shpreh Kryeministri italian.
Deri tani janë konfirmuar të paktën 250 të vdekur dhe qindra të tjerë të zhdukur.
Fabrizio Curcio, kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile është shprehur i shqetësuar, pasi bilanci i viktimave mund të jetë më i lartë se ai i tërmeteve që goditi Aquila-n në 2009-ën, ku 309 persona humbën jetën.