Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se me thirrjen e rektorit të UBT, Fatbardh Sallaku, PS po përpiqet të intimidojë drejtësinë.
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi i është përgjigjur duke thënë se PS ka inkurajuar dhe do të inkurajojë hetimet që po bëhen.
Ai tha se Sallaku ngriti shqetësimin për imazhin e UBT, ngjarje e cila sipas tij do zbardhet nga drejtësia.
”Ka një abuzim me fjalën në parlament. Rektori në grupin parlamentar të PS tha se vjen edhe në Grupin Parlamentar të PD për të dhënë sqarime. As rektori nuk pretendoi që ne të mbajmë anë në një proces me drejtësinë. Z Bardhi sapo bëre gjyq në parlament.
Ne inkurajojmë gjithmonë hetimet, me standarde të shkojnë deri në fund. Nuk duhet të dezinformohet në foltore, që është e qytetarëve. Nëse këto janë tymnaja, për primaret e juaja, që tensionin tuaj ta transferoni këtu, është punë e juaja. Ne i hapëm derën rektorit të UBT, por ai nuk foli për procesin.
Ai ngriti shqetësimin për imazhin e UBT dhe sqaroi projektet e universitetit. Kërkoi mbështetje për ndërkombëtarizimin e UBT, për ngjarje, që do zbardhet nga drejtësia”, tha Peleshi.