Një 30-vjeçar është arrestuar pasi tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli. Policia bën me dije se gjithashtu në pranga ka rënë edhe një 30-vjeçare, për moskallëzim krimi, pasi shoqëronte 30-vjeçarin në momentin e konfliktit.
Ngjarja ndodhi në ambientet e një hoteli, në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”. Shtetasi E. S., gjatë një konflikti, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh. E.S., 30 vjeç, akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”; E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim edhe e shtetasve: E. M., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al