Gjykata e Lartë në Glasgow të Skocisë ka dënuar me 10 vjet burg 32 vjeçarin shqiptar Liridon Kastrati, pasi ky i fundit ishte përpjekur të vriste një efektiv policie me sharrë elektrike, një ngjarje që gjyqtari i çështjes e përshkroi si një “film horror”.
Ngjarja e frikshme ka ndodhur më 6 maj të vitit 2024 në qarkun Renfrewshire të qytetit Glasgow. Kastrati bëri një aksident duke u përplasur me një automjet policie. Fillimisht ai u largua nga vendi i aksidentit, por më pas u kthye, hapi bagazhin e makinës dhe mori një sharrë elektrike. Ai e ndezi mjetin dhe, duke bërtitur me të shara ndaj policisë, nisi të ndiqte oficerin Gary Cowan përgjatë rrugës.
Gjyqtari William Gallacher tha se ishte i habitur nga fakti i përdorimit të një sharre elektrike si armë, por duke komentuar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë dhe celularët e kalimtarëve, tha se gjithçka ishte horror i vërtetë. Oficeri u detyrua të vraponte për një distancë të konsiderueshme, nga frika se shqiptari ‘do t’i priste gjymtyrët’ nëse do ta kapte.
Dënimi prej dhjetë vitesh është llogaritur duke filluar nga maji i vitit 2024.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Kastrati reagoi me agresivitet në sallën e gjyqit, duke goditur bankën e të akuzuarve dhe duke e sharë gjyqtarin, fillimisht në shqip dhe më pas në anglisht. “Ti je një terrorist dreqi” i tha ai gjykatësit, përpara se të shoqërohej jashtë nga efektivët e sigurisë.
















