Plot 24 vjet burg ka kërkuar Prokuroria e Matit për Ermir Skeja, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë ndaj dy personave. Ngjarja ka ndodhur në 28 maj të vitit 2015 në zonën e quajtur “Baz”. Sipas organit të akuzës Skeja ngacmonte bashkëjetuesen e shtetasit Libjond Permaku, efektiv i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Efektivi kishte tentuar disa herë që të ndërhyjë te familjarët e Skejës, për të kërkuar prej këtij të fundit që të mos shqetësonte bashkëjetuesen e tij. Por këto tentativa nuk ka rezultuar efikase.
Kështu 28 majin e vitit të kaluar Permaku dhe miku i tij Vilson Totraku kanë qenë në qytetin e Matit, kur janë përballur me Ermir Skejën.
Ndërmjet Permakut dhe Skejës ka nisur një konflikt fizik. Nga goditjet, ka mbetur i dëmtuar Skeja, i cili ka reaguar duke qëlluar me një pistoletë, të cilën e mbante pa leje.
Nga goditjet e para, ka mbetur i plagosur me disa plumba në trup efektivi Permaku. Menjëherë pranë tij ka shkuar edhe Vilson Totraku, ndaj të cilit është qëlluar sërish me pistoletë nga Skeja. Pas plagosjes, Skeja është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.