Një shtetas kosovar është vënë në pranga në pikën kufitare të Morinës në Kukës, pasi tentoi të kalonte në territorin shqiptar duke mos deklaruar rreth 20.000 euro.
Bëhet fjalë për shtetasin B.S., për të cilin nisi procedimi në gjendje të lirë.
“Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. S.. Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën rreth 20 000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar B. S., 40 vjeç, banues në Mitrovicë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’”.