Mbrëmjen e djeshme në veri të Kosovës pati sërish tensione, ku shpërthime e të shtëna armësh kanë tronditur disa zona.
Dy shpërthime të fuqishme janë regjistruar, një rreth orës 01:30 pas mesnatës dhe tjetra në orën 03:00 afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh, sipas KosovaPress-it.
Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo dëme materiale, si dhe kush ka qenë shkak i këtyre shpërthimeve e të shtënave me armë.
Barrikadat janë përforcuar gjatë natës me makineri të rëndë, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për qytetarët të cilët po qëndrojnë tek barrikadat.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë prezentë nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier në veri, duke ruajtur qetësinë dhe rendin publik, si dhe duke ofruar siguri për të gjithë banorët pa dallim.
Ndërkohë, rrugët për Bërnjak dhe Jarinje vazhdojnë të mbesin të bllokuara.