Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, në një konferencë për media ditën e sotme, ka vijuar me publikimin e dosjes hetimore në ngarkim të zv,kryeministres Belinda Balluku dhe 5 vartësve të saj, të gjithë të akuzuar për ‘shkelje të barazisë në tendera’ lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Bardhi sqaron se me urdhër të Ballukut është anuluar gara e parë e hapur për tenderin e tunelit të Llogarasë, për tu rihapur për herë të dytë me fitues të paracaktuar, kompaninë turke. Tenderi i dytë është hapur me 50 milionë lekë plus ndërsa kompania turke pavarësisht se nuk plotësonte kriteret teknike dhe financiare për realizimin e atij projekti u shpall fituese.
Ndër të tjera, ai tregon se Belinda Balluku ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e kompanisë turke disa ditë përpara se të shpallej fituesi i tenderit.
“Në dosjen e prokurorisë që dua ta përshëndes për guximin dhe integritetin e treguar, rezulton e tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar. Ka qenë Balluku që ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit vetëm se ishte 50 milionë euro më pak sesa llogaritë korruptive që kishte bërë ajo. Është Balluku që ka komunikuar me kompaninë turke disa ditë përpara tenderit, duke bërë fakt të kryer fitimin e tenderit nga kompania turke”, tha Bardhi.
Gament Bardhi flet dhe për përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në aferat korruptive, nisur që nga fakti që nuk ëhstë bërë asnjë lëvizje për të shkarkuar nga detyra Ballukun.
“Rama nuk guxon ta shkarkojë Ballukun. Çdo shkelje e ligjit është dirigjuar nga Belinda Balluku që e drejton vendin nga telefoni si dhe nga vizita të vartëseve në banesën saj ku ndajnë lekët. Jo vetëm kompania është paracaktuar por kompania turke nuk plotësonte një sërë kushtesh që vetë autoritetet shqiptare kishin shpallur për tenderin në fjalë.
Kjo kompani nuk plotësonte kriteret teknike dhe financiare. ‘Kjo kompani është shpallur fitues në kundërshtim me ligjin’ (lexon dosjen). Rama që ditën flet për Evropën dhe natën mbron korrupsionin, me heshtjen e tij është kthyer në avokat të Ballukut, As nuk e shkarkon, as nuk ka folur një fjalë e as nuk është distancuar nga këto prova, por vazhdon ta mbrojë duke i provuar çdo shqiptari që nuk është vetëm Balluku, por dhe ai bashkëpërgjegjës. Ai është arkitekti politik i korrupsionit”, tha Bardhi.

















