Vijon operacioni policor i koduar “Tempulli”. Së fundmi është goditur në Berat një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Sipas policisë, kanë rënë në pranga, shtetasit: E. M., 30 vjeç dhe A. H., 39 vjeç, të dy banues Berat si dhe V. D., 37 vjeçe, banuese në fshatin Lapardha, Berat.
Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, efektivët e policisë kanë ndaluar në qytetin e Dimalit, automjetin me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë 2 shtetasit e tjerë. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur 519 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë, të ndarë në doza të gatshme për shitje, që u gjet gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.