Shteti islamik i Bruneit ka vendosur të marrë masa drastike deri në vdekje ndaj marrëdhënieve të personave të të njëjtit seks. Gjithashtu pjesë të dënimeve janë edhe për personat që shkelin kurorën apo vjedhin.
Personat e të njëjtës gjini që kryejnë marrëdhënie intime dhe shkelësit e kurorës do të kenë të njëjtin fat, të vriten duke u qëlluar me gurë. Shteti i Bruneit e ka vendosur këtë dënim si pjesë e zbatimit të një kriteri të ri penal, të bazuar në ligjin e Sheriatit. Ndërsa për personat që vjedhin ligji parashikon prerjen e dorës. Sulltani Hassanal Bolkiah deklaroi se dëshiron që mësimet e Islamit të forcohen sa më shumë në këtë vend.
Këto masa kanë shkaktuar indinjatë në të gjithë botën sipas BBC, ndërkohë që anëtarët e komunitetit LGBT në këtë vend janë shprehur të frikësuar dhe të tronditur për këto ndëshkime që sipas tyre janë mesjetare.
“Të zgjohesh dhe kupton se fqinjët e tu, familja jote, madje edhe zonja që shet petulla në anë të rrugës nuk të konsideron më qenie njerëzore, ose mendojnë se vrasja me gurë është normale,”është shprehur një pjesëtar i LGBT për BBC. Edhe para këtyre masave homoseksualiteti ishte i paligjshëm në Brunei dhe i dënueshëm deri në 10 vjet burg. /Opinion.al/