Çiftet e divorcuara që martohen sërish, duhet që në martesën e re të heqin dorë nga seksi dhe me partnerët e rinj të jetojnë “si vëlla e motër”.
Kështu ka dhënë këshilla për “mirësjellje seksuale”, kryepeshkopi i Filadelfisë në SHBA, Charles Chaput, shkruan Independent, transmeton Telegrafi.
“Udhëzimet” e tij janë të publikuara në faqen e internetit të Kryepiskopatës.
Chaput beson se individët e divorcuar me partnerët e rinj nuk duhet të rrinë si burri me gruan, sepse vetëm kështu mund të pranohen në sakramentin e pendesës apo rrëfimit.
Ai beson se “vet-kontrolli është i mundshëm”, dhe se përmbajtja nga tundimi fizik është “element i fortë i përgatitjes shpirtërore për jetë të gjatë të përbashkët”.
“Udhëzimet” e tij janë botuar më 1 korrik dhe mendohet se janë nën ndikimin e nxitjes apostolike të Papa Françeskut, për dashurinë në familje – ‘Amoris laetitia’ – që u publikua në fillim të prillit.