Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka nisur kthimi i të strehuarve nga Shqipëria, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Haradinaj në një konferencë për media tha se Kosova tregoi zemërgjerësinë e saj gjatë situatës tragjike në Shqipëri dhe se tani e pret një fazë tjetër.
“Pas periudhës së parë të ardhjes ose të arritjes dhe vështirësive dhe sfidave të akomodimit, për të cilat vërtet meritojnë falënderime të gjithë që kanë treguar zemërgjerësinë, kemi filluar në një etapë të re për kthimin e të zhvendosurve. Tashmë e dini që të gjithë të strehuarit tek shkolla “Gjon Buzuku” janë rikthyer. Tek Parku Inovativ nga 600 persona të strehuar, kane mbetur vetëm 100. Edhe këtu kemi detyra dhe përgjegjësi, që të sigurojmë një proces të kthimit në përputhje me dinjitetin e të zhvendosurve”, tha Haradinaj.
Ai kërkoi nga të gjitha komunat, ku mund te këtë persona të strehuar, që të vendosin një numër telefoni dhe të sigurojnë transportin për kthimin e tyre. Ai shtoi se nëse hasin në vështirësi do të përkrahen nga niveli qendror.
Haradinaj gjithashtu tha se regjistrimi dhe identifikimi i personave të ardhur nga Shqipëria nuk është bërë me ndonjë paragjykim./ Opinion.al