Ndihet mirë aty ku është dhe kjo u konfirmua përsëri.
Taulant Xhaka rinovoi kontratën me Bazelin duke vendosur të qëndrojë me kampionët e Zvicrës deri në vitin 2021.
Lajmin e dha klubi zviceran duke deklaruar se marrëveshja parashikon zgjatjen e kontratës edhe për një vit tjetër.
Akordi i vjetër mes Xhakës dhe Bazelit përfundonte në vitin 2018 dhe zviceranët vendosën të mos rrezikonin për ta humbur me parametër zero një nga lojtarët e tyre më të mirë.
Futbollisti 25 – vjeçar ka qenë tepër i rëndësishëm sidomos në dy sezonet e fundit duke u shpallur kampion dhe duke luajtur një numër të madh ndeshjesh, në rolin e mbrojtësit.
I lindur pikërisht në Bazel, Taulanti është në këtë klub që nga mosha 12 – vjeçare, kur erdhi që nga akademia e Konkordias bashkë me vëllanë e tij, Granitin.
Ai u bashkua me skuadrën e parë në vitin 2010, dhe më pas u dha në huazim tek Grasshopersi për 1 sezon e gjysmë, për t’u kthyer përfundimisht në Bazel në 2013.
Me skuadrën më të mirë të viteve të fundit në Zvicër ai ka fituar 5 tituj kampion dhe 1 kupë.