Zyrtarë të lartë ukrainas dhe amerikanë zhvilluan ditën e sotme një takim në Arabinë Saudite për përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në një deklaratë të përbashkët nga SHBA dhe Ukraina pas përfundimit të takimit 9 orësh, që ka publikuar departamenti i shtetit amerikan, duket se bisedimet kanë qenë të sukseshme.
SHBA thotë se do të heqë menjëherë pauzën për shkëmbimin e inteligjencës dhe do të rifillojë ndihmën e saj të sigurisë për Ukrainën.
Ukraina ka rënë dakord të pranojë një propozim të SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor dhe të ndërmarrë hapa drejt rivendosjes së një paqeje të qëndrueshme pas pushtimit të Rusisë,
“Ukraina shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe që i nënshtrohet pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Federata Ruse. Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e departamentit amerikan të shtetit.
Dy vendet kanë thënë gjithashtu se kanë rënë dakord të përfundojnë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës.
Delegacionet ranë gjithashtu dakord të emërojnë ekipet e tyre negociuese dhe të sjellin menjëherë bisedimet drejt një paqeje të qëndrueshme që siguron sigurinë afatgjatë të Ukrainës.