Kryeministri Edi Rama ka pritur ditën e sotme në një takim me dyer të mbyllura Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof.
Pas përfundimit të takimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka ndarë detaje nga diskutimet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada shkruan se Rama dhe Kasanof ndër të tjera folën mbi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri.
Gjithashtu ata shqyrtuan përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, rëndësinë e transparencës në reformën në drejtësi dhe forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit.
Postimi i plotë i Ambasadës:
“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Alexander Kasanof dhe Kryeministri Edi Rama u takuan sot për të diskutuar mbi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri dhe mbështetjen e Shqipërisë për çështje kyçe shumëpalëshe, duke rikonfirmuar angazhimin e tyre për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Ata shqyrtuan përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, rëndësinë e transparencës në reformën në drejtësi dhe forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit.”