Pas sulmit terrorist në Ankara, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë, kanë ardhur reagime nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Në një konferencë për shtyp, Këshilltari për Komunikimet e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me viktimat e sulmit.
“Zemrat tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm terrorist në Ankara,” tha Kirby, duke shtuar se autoritetet turke po e hetojnë ngjarjen si një sulm të mundshëm terrorist.
“Ne ende nuk e dimë motivin ose kush qëndron saktësisht pas këtij akti dhune, por e dënojmë fuqishëm këtë akt të neveritshëm,” përfundoi Kirby.
Presidenti rus Vladimir Putin, gjithashtu, reagoi lidhur me sulmin terrorist përpara një takimi të planifikuar me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan. Putin e dënoi aktin dhe shprehu ngushëllimet e tij për popullin turk. “I shpreh ngushëllimet e mia Turqisë për këtë sulm terrorist,” deklaroi Putin.