Pas sulmit të armatosur që ndodhi në Kosovë, ku mbeti i vrarë një punonjës policie, ka dalë në një konferencë për shtyp ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
Ministri ka dhënë detaje të reja dhe deklaroi se sulmi ka ardhur me urdhër të Aleksandar Vuçiç.
“Serbia po shfrytëzon armët dhe kriminelët e saj për politikat e saj hegjemonistë duke shkaktuar dhimbje për qytetarët dhe familjarët tanë. Rezistenca e djeshme ndaj bandave ishte dëshmi e qartë se ne nuk do të ndalemi në mbrojtje të sovranitetit të vendit tonë. Ishin njësi profesionale dhe specialë të mbështetur nga Serbia. Ata individë, sipas edhe pamjeve, përveç aftësive dhe armatimeve kanë pasur mjete të rënda si autoblinda me të cilët kanë zhvilluar sulmin e tyre. Plani i Vuçiçit tashmë ka dështuar. Nga shkëmbimet e zjarrit kanë mbetur 3 të vrarë të gjithë me uniforma, janë arrestuar 2 të tjerë dhe 4 persona që kanë qenë mbështetës në këtë aktivitet. Një prej të arrestuarve ishin të plagosur, atij i është dhënë ndihma e parë në QKUK. Asnjë civil nuk është lënduar nga ky operacion. 6 terroristë të plagosur po marrin ndihmën dhe i kërkojmë Serbisë të na i sjellë dhe t’i çojmë para drejtësisë”, deklaroi ai.