Guvernatori i Izmirit në një prononcim për mediat tha se kanë vdekur dy persona nga sulmi përpara gjykatës në Izmir. Ai bëri përgjegjës rebelët kurdë të PKK-së. Terroristët kishin 8 granata dore, armë dhe dy makina bombë.
Një polic dhe një punonjës i gjykatës kanë mbetur të vdekur. Ndërsa policia arriti të ekzekutojë dy prej terroristëve. Një i tretë që mori pjesë në sulm po kërkohet nga forca të shumta policore. Një numër i madh njerëzit kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi. Mediat flasin për 10 të plagosur, por shifra ende nuk është zyrtare.
Nga të dhënat e para mësohet se tre persona kanë dalë nga një makinë dhe kanë qëlluar ndaj rojeve të gjykatës. Nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të vrarë dy terroristët, një polic dhe një roje gjykate. Nga shkëmbimi i zjarrit ka shpërthyer edhe makina nga e cila zbritën terroristët. Ndërsa makina tjetër dyshohet se kishte bombë por policia e shpërtheu në mënyrë të kontrolluar.
Disa nga qytetet e mëdha të Turqisë kanë qenë në shënjestër të terroristëve ditët e fundit. Sulmin e parë, natën e ndërrimit të viteve me 39 viktima dhe 60 të plagosur në një lokal nate e ka marrë përsipër ISIS.