Ministria e Jashtme ka thirrur në takim ambasadorin rus, Alexey Anatolyevich në lidhje me sulmin ndaj ambasadës shqiptare në Kiev. Klan News raporton se ambasadori rus qëndroi vetëm pak minuta në Ministrinë e Jashtme.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme reagoi duke thënë se sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev është një sulm ndaj themeleve të demokracisë ndërkombëtare
Kujtojmë se një seri sulmesh ajrore ruse tronditën Kievin mëngjesin e kësaj të premteje duke shkaktuar 1 viktimë dhe disa të plagosur. Pre e këtyre sulmeve ishte edhe fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë si dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në rrezik jeta e personelit diplomatik. Ministria e Jashtme e Ukrainës deklaroi se krahas misionit diplomatik shqiptar, dëme materiale pësuan edhe misionet diplomatike argjentinase, maqedonase, palestineze, portugeze dhe malazeze.
Të gjitha këto ambasada së bashku me atë shqiptare, janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë, e cila u dëmtua rëndë nga sulmi raketor rus.