Shkrimtarja ukrainase e vlerësuar me disa çmime Victoria Amelina ka ndërruar jetë pasi një raketë ruse goditi një restorant picash në qytetin lindor të Kramatorsk të martën.
Sipas BBC, vdekja e saj shënon viktimën e 13-të që ka ndërruar jetë si pasojë e sulmit.
Shoqata e shkrimtarëve PEN Ukraine tha se mjekët “bënë gjithçka që mundën për të shpëtuar jetën e saj, por fatkeqësisht plagët e marra ishin të rënda”.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë quajtur sulmin një krim lufte.
Kramatorsk është nën kontrollin e Ukrainës, por është afër pjesëve të pushtuara nga Rusia të Ukrainës.
Amelina, 37 vjeçe, po darkonte me një delegacion gazetarësh dhe shkrimtarësh kolumbianë në sallën e njohur Ria Lounge të qytetit kur raketa goditi. Rreth 60 të tjerë u plagosën në sulm.
Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin në Dnipro, por iu nënshtrua lëndimeve të premten, tha PEN Ukraine.
“Me dhimbje të madhe ju informojmë se zemra e shkrimtares Victoria Amelina pushoi së rrahuri më 1 korrik”, thuhet në një deklaratë të grupit./Opinion.al