Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka folur pas përfundimit të seancës plenare ku iu drejtua qytetarëve që të dalin në protestë, pasi vetëm kështu mund të vendoset demokracia.
Sula tha se kjo është një betejë për të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se mund të humbasin disa beteja, por jo luftën.
“Shikoni çfarë i bënë sot deputetëve të opozitës. E kanë rrethuar me qindra policë dhe gardistë dhe kjo është e tmerrshme. Kjo është një sjellje prej diktature. I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të protestojnë për të drejtat e opozitës dhe të drejtave të tyre.
Mund të humbasim disa beteja por luftën nuk do ta humbim kurrë. Është e vetmja rrugë për të vendosur demokracinë. Ky vend ka rrëshqitur në autokraci. I bëj thirrje popullit opozitar që të protestojë çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj”, tha Sula.