Më shumë persona po largohen nga përditësimi me lajmet e fundit, pasi i përshkruajnë ato si dëshpëruese, të pamëshirshme dhe të mërzitshme, sipas një studimi. Pothuajse 4 në 10 njerëz në mbarë botën thanë se ndonjëherë ose shpesh i shmangin në mënyrë aktive lajmet, krahasuar me 29% në 2017, sipas raportit të “Reuters” të Universitetit të Oksfordit.
Autorët e raportit thanë se luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme mund të kenë kontribuar në dëshirën e njerëzve për të mos ndjekur lajmet. Ata thanë se shmangia e lajmeve, tani është në nivele rekord të larta. Gjithsej 94,943 të rritur në 47 vende u anketuan nga “YouGov” në Janar dhe Shkurt për Raportin e Lajmeve Dixhitale të këtij viti.
Kjo vjen në një kohë kur miliarda njerëz në mbarë botën kanë shkuar në qendrat e votimit në zgjedhjet kombëtare dhe rajonale. Raporti zbuloi se zgjedhjet kanë rritur interesin për lajmet në disa vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, sipas studimit, tendenca e përgjithshme mbetet e qëndrueshme në rënie. Në mbarë botën, 46% e njerëzve thanë se ishin shumë, ose jashtëzakonisht të interesuar për lajmet, nga 63% në 2017. Në Mbretërinë e Bashkuar, interesi për lajmet pothuajse është përgjysmuar që nga viti 2015.