Pas eksperiencës në Euro 2024, Thomas Strakosha ka nisur sot zyrtarisht aventurën e re në karrierë, duke u bërë pjesë e klubit të AEK në Athinë.
Portieri shqiptar i ka dhënë lamtumirën Anglisë ku ishte pjesë e Brentfrod, për t’u transferuar në Greqi, vend në të cilin kthehet 12 vite pasi ishte larguar për t’iu bashkuar akademisë së Lacios.
Klubi ka bërë njoftimin zyrtar në rrjetet sociale, duke sqaruar se portieri 29-vjecar shqiptar ka firmosur një kontratë afatgjatë deri në vitin 2029.
“Unë jam shumë i lumtur që transferimi im te AEK u kompletua. Po pres me padurim që të nis stërvitjen dhe të jem në gatishmëri të trajnerit tim. Që nga sot nuk ka më fjalë, vetëm punë”, ishin fjalët e para të Strakoshës si portieri i klubit grek.