Aldrich Ames, ish-agjent i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, i cili për gati një dekadë spiunoi për Bashkimin Sovjetik dhe më pas për Rusinë, ka vdekur në moshën 84-vjeçare në një burg në shtetin e Marylandit në SHBA. Ames u arrestua në shkurt të vitit 1994 së bashku me bashkëshorten e tij, Rosario Ames.

Të dy pranuan fajësinë pa gjyq: Aldrich për spiunazh dhe evazion fiskal, ndërsa Rosario për ndihmë dhe bashkëpunim në aktivitetet e tij. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa bashkëshortja me pak më shumë se pesë vjet burg. Sipas hetimeve, për afro dhjetë vjet, Ames kishte dorëzuar informacione të klasifikuara në Moskë, përfshirë identitetet e agjentëve perëndimorë që vepronin pas Perdes së Hekurt. Ai pranoi se ishte paguar rreth 2.5 milionë dollarë për spiunazh.
Në një intervistë nga burgu për Washington Post, një ditë para shpalljes së dënimit, Ames deklaroi se ishte shtyrë drejt spiunazhit nga vështirësitë financiare. Ai tha se ndiente “turp dhe faj të thellë” për tradhtinë, ama në gjykatë minimizoi çështjen, duke thënë se nuk besonte se kishte dëmtuar ndjeshëm interesat e Shteteve të Bashkuara.
Në kohën kur iu afrua për herë të parë KGB-së, Ames punonte në sektorin sovjetik dhe të Evropës Lindore në selinë e CIA-s në Langley, Virxhinia. Ai vazhdoi të kalonte sekrete jo vetwm kur u emërua në Romë por edhe pas kthimit në Uashington, ndërsa komuniteti amerikan i inteligjencës përpiqej të kuptonte si ia dilte Moska të zbulonte kaq shumë agjentë amerikanë.

















