Byroja e Kuvendit pritet të mblidhet sot, rreth orës 17:30, për të vendosur lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PSsë për përjashtimin e 3 deputetëve demokratë që qëlluan me vezë në drejtim të kryeministrit gjatë seancës së djeshme plenare.
PS ka kërkuar përjashtim nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione deri në 10 ditë për deputetët e grupit parlamentar të PDsë: Gent Strazimiri, Albina Deda, Bedri Hoxha.
Ndërkohë edhe Partia Demokratike i ka kërkuar Byrosë së Kuvendit përjashtimin nga parlamenti të Kryeministrit Rama dhe deputetit Erjon Braçe për fyerje ndaj opozitës.
Kuvendi u përfshi dje në një situatë kaotike për shkak të bllokimit që opozita i bëri foltores. Zhurmë, tension dhe vezë të hedhura në drejtim të kryeministrit Rama ishin “kryefjala” e punimeve parlamentare.
Në përfundim të seancës, kryetari i grupit parlamentar të PSsë, Gramoz Ruçi, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta përjashtimin e tre deputetëve që gjuajtën me vezë kryeministrin.
“Grupi parlamentar i PSsë ndjehet i keqardhur për ngjarjet e shëmtuara të ndodhura sot (dje) në sallën e seancave plenare nga deputetët e PDsë. Të gjithë shqiptarët e panë se si fajtorët për keqqeverisjen 8vjeçare të Shqipërisë dhe shqiptarëve bllokuan punimet normale të parlamentit me të gjitha mjetet joligjore dhe aspak parlamentare, madje duke përdorur hedhje të sendeve apo vezëve në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar.
Prandaj, bazuar në nenin 65 të Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar i PS i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të mbledhë urgjentisht Byronë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën për përjashtim nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione deri në 10 ditë për deputetët e grupit parlamentar të PDsë: Gent Strazimiri, Albina Dede, Bedri Hoxha”, – shkruan Ruçi në letrën drejtuar Metës.