Paketa anti-KÇK e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, ligjëron krijimin e një super-strukture hetimore të paprecedentë brenda Policisë së Shtetit. Në shënjestër të saj do të jetë çdo person i dyshuar si i përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda dhe terrorizëm, si dhe çdokush që përfiton prej tyre, përfshi edhe familjarët. Ligji i heq prokurorisë monopolin e përgjimit të personave në hetim, duke ia dhënë këtë të drejtë edhe policisë.
Sipas ligjit, policia mund të kufizojë lirinë e lëvizjes së individit, pa një vendim gjykate. Kjo bëhet përmes marrjes së pasaportës së personit dhe pezullimin e vlefshmërisë për çdo dokument tjetër të barasvlershëm.
Me objektiv kryesor gjurmimin e pasurive të krijuara nga krimi, ligji i jep të drejtë Policisë së Shtetit të sekuestrojë pasuri. Ligji i jep dorë të hekurt strukturës anti-KÇK, t’i kërkojë kompanive celulare identifikimin e çdo numri telefoni në kohë reale, lokalizimin e vendndodhjes, si edhe mundësi për nxjerrje informacioni nga çdo regjistër elektronik të dhënash, qoftë i institucioneve shtetërore apo private.
Pikërisht për këto ndryshime janë diskutuar këtë të hënë në emisionin Opinion, ndërsa qytetarët u pyetën me anë të një sondazhi. A keni besim se këtë herë do të funksionojë lufta kundër krimit? Ishte kjo pyetja e sondazhit ku gjatë emisionit morën pjesë 5500 qytetarë. Nga përgjgijet rezultoi se 82 % nuk kanë besim dhe vetëm 18 % besojnë të kundërtën./ Opinion.al