Sokol Mjacaj, i dënuari përjetë i cili ekzekutoi me armë zjarri Arben Lleshin brenda burgut të Peqinit, ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme futjen e tij në regjimin “41-biss”.
Kërkesa pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Erion Bani.
Kujtojmë se Mjacaj vetëm pak minuta pasi mësoi lajmin se ministri i Drejtësisë kishte vendosur futjen e tij në “41 biss”, kreu vrasjen e Arben Lleshit, dyshohet përkundrejt pagesës.
Pas ngjarjes gjykata e Elbasanit i komunikoi tjetër masë arresti në burg Mjacajt, të dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çek në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe.
Përveç këtij të fundit, kërkesë për daljen nga “41 biss” ka bërë edhe Ilir Kupa, i dënuar me 25 vite burg për veprat penale të grabitjes me armë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesë e bandës së “Babagjyshëve” të cilët grabisnin argjendari. Gjyqtari i shortuar që do shqyrtojë kërkesën e Kupës është Erion Çela.