Një student 23-vjeçar pretendon se është kërcënuar nga deputeti i PD-së, Flamur Noka ditën e sotme.
Studenti, Ardit Cela thotë për “Panorama Online” se ka marrë një SMS në “Facebook” nga një profil me emrin dhe foton e deputetit të PD-së, Flamur Noka.
Përmbajtja e mesazhit ishte kjo: “ Ti Ardit që merresh me emrin tim po të them se do të të gjej dhe do të të rrjep si cjap”.
Studenti tregon për “Panorama Online” se kishte komentuar në një faqe qe thoshte se Flamur Noka ishte Azem Hajdari i ri.
“Unë shkrova me ironi se ata të dy të ngjashëm kishin ndoshta origjinën, arsimin dhe diçka të tretë që nuk po e them, kur më pas më erdhi SMS-ja kërcënuese”.
Ai tregon se ka frikë që të bëjë një kallëzim në Polici për këtë çështje. Deputeti Noka u bë protagonist ditën e sotme në Kuvend, ku tentoi ndoshta edhe të largonte Kryeministrin Rama nga foltorja, kur ai fliste për reformën në Drejtësi.