Pas 5 vitesh Ernest Gjoka rikthehet të drejtojë një klub në Superligën e futbollit shqiptar. Trajneri nga Tirana do të ulet në stolin e Skënderbeut, me njoftimin që u bë nga Presidenti Ardian Takaj, pak ditë pasi korçarët shkarkuan Ivan Gvozdenoviç.
54-vjeçari eksperiencën e fundit në Superligë e ka pasur në krye të pankinës që Kukësi në vitin 2019, por më parë në elitë ka drejtuar edhe Vllazninë.
Gjoka do të debutojë me Skënderbeun në javën e 16-të të Superligës, në sfidën përballë Tiranës që do të luhet të enjten në Korçë.
“Ernest Gjoka zyrtarisht bardhekuq! Tekniku Ernest Gjoka ka arritur marrëveshjen me klubin dhe është zyrtarisht trajner i Skënderbeut. Menjëherë pas prezantimit, Ernest Gjoka do të nisë përgatitjet për takimin e radhës ndaj Tiranës në stadiumin “Skënderbeu”. Mirë se vjen Ernest Gjoka!“, shkruan klubi në rrjetet sociale.