Zjarret në njësinë Skënderbegas në bashkinë e Gramshit kanë lënë pas mijëra hektarë pyje të djegura… shtëpi të shkrumbuara, por edhe dëme të shumta në bujqësi dhe blegtori. Grupet e punës janë në terren për të bërë kontrollin e dëmeve.
Njësia Administrative Skënderbegas në Gramsh ka në përbërjen e saj tetë fshatra.
Dëme më të mëdha nga zjarret kanë fshatrat Skënderbegas, Bletëz, Harunaj, Zenelaj, dhe Kullollas.
Të dhënat paraprake tregojnë për 42 shtëpi të djegura plotësisht dhe qindra krerë bagëti të djegura.
Në çdo fshat janë ngritur grupe pune të cilat po bëjnë verifikimet e dëmeve, në banesa, por edhe bujqësi dhe bagëti.
Pasuria më e madhe e këtyre familjeve janë banesat dhe bagëtitë. Shumë prej tyre i kanë humbur të dyja.
E tillë është edhe situata për Feruze Koçin, e cila nuk ka mundur të shpëtojë asgjë nGa shtëpia e saj.
“Tani po qëndrojmë në konvikt në Gramsh. Kemi ardhur për të bërë verifikimin këta të pemëve, shtëpive”, tha Feruze Koçi, banore e fshatit Skënderbegas.
Flakët i morën mundin e një jete, kështu thotë 65-vjeçari Kujtim Paloshi, i cili sëbashku me të shoqen u evakuuan dhe po qendrojnë në konviktet e qytetit të Gramshit. Por janë kthyer për të pritur grupet e verifikimit të dëmeve.
“Kam punuar 10 vjet në Greqi, çdo gjë vajti zero. U stresuam, po bëjmë jetesë shumë te keqe. Unë jetoj në konvikt me gjithë gruan”, tha Kujtim Paloshi, banor i fshatit Skënderbegas.
Në fshatin Skënderbegas janë tetë shtëpi të djegura plotësisht. Në shumicën e tyre jetojnë të moshuar, pasi një pjesë fëmijët i kanë në emigracion, ose janë shpërngulur në qytete si Gramshi apo Tirana.
“Na ka mbaruar gjithçka. Stëpia e vjetër funksionale, shtëpia e re, zdrukthëtaria dhe stallat janë shkrumbuar. Mamaja me gjithë motrën jetonte. Kanë ardhur grupet e verifikimit i kanë shkruajtur të gjitha”, tha Vevent Bode, banor i fshatit Skënderbegas.
Sipas kryetarit të njësisë administrative Skënderbegas, verifikimet pritet të përfundojnë brenda javës ndërsa bagëtitë e ngordhura janë groposur.
“Tani për tani janë marrë masa për strehimin e banorëve që kemi strehuar në pjesën e konviktit. Janë ngarkuar kontejnerë për banorët. Kemi bërë evidentimin e dëmeve që shkon 203 numri i të imtave, 9 gjedhë dhe 6 njëthundrakë. Kemi numër shpendësh dhe dëme në pjesën e vreshtarisë dhe ullishteve”, tha Arif Feimi, kryetar i Njësisë Administrative Skënderbegas.
Në bujqësi, dëmet janë të konsiderueshme, me djegie të kulturave bujqësore dhe dëmtime në mjetet e prodhimit. Banorët raportojnë humbje të mëdha ekonomike dhe kërkojnë ndihmë nga shteti për të përballuar situatën.
“Aman të më ndihmojë shteti, për ata ullinj dhe rrush që i kam vënë me kursim. Kurseja bukën dhe gjellën dhe i vuri fëmija që të vijmë në Shqipëri të punojmë tokat”, tha Fiqirete Zhupali, banore e fshatit Harunaj.
Flakëve nuk u kanë shpëtuar as varrezat e fshatit.
“Arriti flaka deri te varrezat dhe ka plasur qivuri komplet”, tha Shahe Gorrica, banore e fshatit Skënderbegas.
Zona e Njësisë Skënderbegas, në qarkun e Elbasanit, njihet për pasuritë natyrore të saj, me pyje të dendura me pisha dhe biodiversitet të pasur.
Por zjarret lanë pas një panoramë dramatike, vetëm shkrumb edhe hi.
Janë djegur hektarë të tërë me pyje, dominojnë pishat, duke shkatërruar një pjesë të rëndësishme të gjelbërimit natyror të zonës
Ekosistemi në këtë zonë është dëmtuar rëndë, duke rrezikuar zhdukjen e shumë habitateve natyrore dhe duke ndërprerë ciklin natyror të faunës e florës së egër të zonës. Pasojat pritet të ndihen për një kohë të gjatë në klimën lokale, cilësinë e ajrit dhe prodhimtarinë bujqësore.
Sipas sistemit europian të monitorimit të zjarreve në pyje, EFFIS, gjatë kësaj vere deri më tani janë djegur 55 mijë e 500 hektarë pyje e kullota.
Klan News