Nëse dikush kishte planifikuar të shkonte në stadium ditën e sotme, duhet të kthehet në shtëpi. Arsyeja është shumë e thjeshtë.
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndryshuar sërish kalendarin e Kategorisë Superiore duke i shtyrë të gjitha ndeshjet për ditën e hënë.
Mund ta quani çfarë të doni: labirint, fjalëkryq, sudok apo ekuacion. Ajo që bën institucioni më i lartë në vendin tonë është e pafalshme, madje qesharake. Në katër ditë të ndryshme të javës ndryshon kalendari shkruan gazeta panorama sport.
Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kalendari i kampionatit të publikohet vetëm një ditë më parë. Në kampionatet më të mëdha dhe më prestigjioze të Europës dhe jo vetëm, kalendari parashikohet që në startin e kampionatit dhe mund të ndodhë vetëm ndonjë ndryshim i orarit.
Sigurisht, edhe ndryshimi i kalendarit është i kuptueshëm kur diçka e tillë ndodh për ndonjë arsye të fortë, natyrore ose diçka tjetër. Ndryshimet në kampionatin tonë ndodhin edhe pa arsye. Interesant është fakti që në FSHF askush nuk jep shpjegime pse ndodh diçka e tillë. Thjesht, papritmas, vendoset ndryshimi i kalendarit pa marrë parasysh ekipet dhe tifozët.
Klubet dhe tifozët
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një ndryshim i kalendarit, por klubet e kanë pranuar në heshtje diçka të tillë duke iu bindur FSHF-së. Në fakt, ndryshimi i kalendarit shkakton çrregullime te programi stërvitor, te konferencat dhe gjithçka tjetër që ka planifikuar një skuadër.
Po ashtu, tifozët e kanë shumë të vështirë të bëjnë organizimet e tyre për të ndjekur skuadrën e zemrës. Këtë javë që do të luhet të hënën me shumë mundësi mund të ketë një numër të ulët tifozësh nëpër shkallët e stadiumeve. E hëna është ditë pune dhe shkolle, prandaj për faj të FSHF-së e keni humbur ndeshjen e ekipit tuaj të zemrës. /panorama sport/