Reshjet intensive gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh në qarkun e Korçës, duke vënë në veprim strukturat vendore, emergjencat civile dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës. Sipas raportimeve nga terreni, më shumë se pesë bashki janë përballur me përmbytje lokale, dëmtime të infrastrukturës rrugore dhe rritje të rrezikshme të niveleve ujore në lumenj e rezervuarë.
Në Bashkinë Pustec, dalja e ujit në segmentin rrugor Lajthizë–Liqenas solli vështirësi në qarkullim, por ndërhyrja e ekipeve të shërbimit ka ndihmuar në normalizimin e situatës. Ndërkohë, në Pogradec, fshati Gështenjas regjistroi pengesa serioze në kanalizime, ku po punohet për orientimin e ujërave të shiut. OSHEE raportoi defekte në disa fshatra, përfshirë Slatinë, Selihtë dhe Shpellë, me ekipet në terren për rikthimin e energjisë elektrike.
Situata paraqitet më problematike në Devoll, ku në fshatin Çetë është bllokuar qarkullimi mbi urë për shkak të rrezikshmërisë së shtuar. Ndërkohë në Cangonj, prania e ujit në oborret e dy banesave ka kërkuar ndërhyrje emergjente për largimin e tij.
Në Korçë, aksi Denas–Lekas rezulton i pakalueshëm pasi prurjet e larta të një përrua pa urë e bënë rrugën të rrezikshme. Voskopojë është një tjetër zonë nën vëzhgim, pasi ujëmbledhësi lokal ka arritur nivele të larta, por ndërhyrjet me mjetet e rënda po e stabilizojnë situatën.
Edhe Kolonja është përballur me sfida të shumta. Rritja e prurjeve në lumin e fshatit Mesiçkë ka rrezikuar urën dhe shtylla të energjisë elektrike. Probleme të ngjashme janë raportuar në fshatin Mollas, ndërsa rezervuari i Rotit ka arritur vetëm 20–30 cm nën nivelin maksimal, duke detyruar hapjen e shkarkuesve. Ndërhyrjet janë duke vazhduar në disa fshatra të zonës, ndërsa disa akse rrugore janë pastruar dhe janë të kalueshme.
ARRSH njofton se në akset Maliq-Lozhan, Ersekë–Leskovik dhe Qafa e Qarrit–Ersekë, punimet për pastrimin dhe sistemimin e ujërave vijojnë me intensitet.
Megjithë këto probleme, autoritetet konfirmojnë se deri në këto momente nuk ka situata që rrezikojnë jetën e banorëve, por shumë zona mbeten nën monitorim të vazhdueshëm për shkak të prurjeve të larta dhe reshjeve që pritet të vijojnë.














