Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani e ka quajtur fakt të trishtë ndalimin e përdorimit të flamurit kombëtar nga Serbia.
Ajo ka thënë se ky akt paraqet qartë shtypjen sistematike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zbehjen e identitetit të të drejtave legjitime që kanë shqiptarët.
Në një mesazh të urimit të 28 nëntorit, kryetarja Sinani u shpreh se këtë vit për herë të parë kjo festë po organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë.
Sinani tha se janë të vendosur për të vazhduar betejën për kërkuar barazi dhe respekt.
Sipas saj, diskriminimi dhe përpjekjet për të heshtur popullin shqiptar në Luginë të Preshevës nuk mund të ndalin përpjekjet për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën.
“Edhe pse shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me padrejtësi të thella dhe diskriminim të hapur, ne sot e më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë të bashkuar. Është fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i Flamurit Kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ky akt është një shprehje e qartë e shtypjes sistematike sistematike që synon të zbehë identitetin dhe të drejtat tona legjitime si popull në këto troje”, shtoi ajo./kosovapress