Në prag të samitit të krizës së BE për Ukrainën, Presidentja e KE von der Leyen ka propozuar një “plan për të riarmatosur Evropën” për qindra miliarda euro. Siguria e Evropës është nën kërcënim shumë real.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka zbuluar një “plan për riarmatimin e Evropës” prej miliarda eurosh përpara një samiti të BE për krizën në Ukrainë. Plani me pesë pika përfshin një lehtësim të rregullave të huamarrjes dhe stimuj për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, tha von der Leyen në Bruksel. Në total, Evropa mund të mobilizojë “pothuajse 800 miliardë euro”.
Siguria e Evropës është nën një kërcënim shumë real, tha Presidentja e Komisionit Evropian. “Është ora e Evropës dhe ne duhet t’i përgjigjemi si duhet,” shpjegoi ajo. “Ne jemi në një epokë riarmatimi dhe Evropa është e gatshme të rrisë masivisht shpenzimet e saj të mbrojtjes.”
Vetëm disa orë para deklaratës së von der Leyen-it, administrata e Presidentit amerikan Donald Trump kishte njoftuar se po pezullonte përkohësisht ndihmën ushtarake për Ukrainën, vetëm disa ditë pas skandalit gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski në Shtëpinë e Bardhë. Ky veprim ka të ngjarë të ketë pasoja drastike për Ukrainën. Që nga grindja publike midis Zelenski dhe Trump, ka pasur gjithashtu zëra që thonë se Evropa duhet të bëjë urgjentisht më shumë për mbrojtjen e saj.
Një fond prej 150 miliardë eurosh
Plani i Von der Leyen-it përfshin një fond të ri 150 miliardë eurosh për të rritur shpenzimet e mbrojtjes të BE, duke përfshirë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Fondet do të ndahen kryesisht për mbrojtjen kundërajrore dhe antiraketore, sistemet e artilerisë, dronët dhe sigurinë kibernetike. Nuk dihet ende se nga do të vijnë paratë.
“Ka të bëjë me shpenzime më të mira dhe të përbashkëta,” tha von der Leyen. Kjo do t’u mundësonte shteteve anëtare të grupojnë kërkesat e tyre, të bëjnë blerje të përbashkëta dhe në të njëjtën kohë të rrisin mbështetjen për Ukrainën. Gjithashtu, do të aktivizohet klauzola e shmangies e Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes. Ajo duhet të lejojë shtetet anëtare të marrin borxhe të reja për shpenzimet e mbrojtjes pa pasur nevojë të kenë frikë nga një procedurë deficiti të BE.
Kontroll i fondeve në dispozicion
Pjesët e tjera përbërëse të planit “Armatosja e Evropës”: Bankat duhet të jenë në gjendje të financojnë më lehtë projektet e mbrojtjes dhe BE dëshiron të kontrollojë burimet e ndryshme të financimit për të parë nëse kanë mbetur fonde që mund të përdoren tani për raketa, municione dhe drone.
Fondi i Kohezionit, me vlerë miliarda euro, është shumë premtues. Qëllimi i tij është të sheshojë dallimet ekonomike brenda Komunitetit dhe fillimisht ishte menduar kryesisht për masat e mbrojtjes së mjedisit.
Vendet e BE duhet të arrijnë marrëveshje
Von der Leyen shpreson se propozimi i saj, së bashku me kapitalin privat dhe financimin shtesë për Bankën Evropiane të Investimeve, mund të mobilizojë pothuajse 800 miliardë euro për mbrojtjen. Ajo e paraqiti planin pak përpara një samiti të posaçëm për Ukrainën të enjten. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të diskutojnë, ndër të tjera, se si të nxitet më tej industria evropiane e mbrojtjes.
Vendet e BE duhet të miratojnë planet e von der Leyen-it. Hungaria dhe Sllovakia kanë njoftuar tashmë kundërshtimin e tyre ndaj një deklarate të përbashkët të samitit në favor të Ukrainës. Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri sllovak Robert Fico mbështesin qëndrimin e Trumpit për një armëpushim në luftën e Ukrainës dhe janë të afërt me Presidentit rus Vladimir Putin.
Baerbock: Plani është i nevojshëm për paqen
Në një reagim të parë, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e përshkroi planin e riarmatimit si të domosdoshëm për paqen.
Dy gjëra janë thelbësore për paqen përmes forcës, shrkoi politikania e Gjelbër në X: “Ndihma shtesë ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe një “hap kuantik për të forcuar mbrojtjen tonë evropiane”. Propozimet e Von der Leyen-it janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, theksoi Baerbock./DW