Dy figura të vogla të bardha shihen duke vrapuar në një ekran bardhezi me cilësi të dobët.
Pak çaste më vonë, një figurë e tretë afrohet nga drejtimi i kundërt, ndërsa një zë dëgjohet përmes kufjeve të operatorit të dronit duke i sfiduar ata. Roja kufitare ukrainase sapo e ka parandaluar një kalim të paligjshëm në Rumani.
Në intervista rishtazi me anëtarë të një njësiti kufitar dhe me një burrë që ia doli të ikte nga vendi, Current Time sjell një pasqyrë se si kriza e mobilizimit në Ukrainë e ka ushqyer një biznes të paligjshëm përgjatë kufijve të saj perëndimorë.
Rojet kufitare thanë se burrat që përpiqen ta shmangin shërbimin në ushtri paguajnë deri në 15.000 dollarë për bandat e kontrabandës, të cilat punësojnë fëmijë vendës për t’i shoqëruar ata matanë kufirit. Sipas tyre, pothuajse çdo ditë kapen njerëz.
“Ata shpikin arsyetime të llojllojshme”, tha Vitaliy, një rojë kufitare, duke vozitur me ekipin e Current Time pranë kufirit rumun. “Për shembull… ‘Erdha ta adhuroj natyrën e bukur’”.
Ai nuk pranoi të thoshte se sa njerëz i kishte kapur.
Ukraina ua ndaloi burrave deri në moshën 60-vjeçare largimin nga vendi pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të vendit në shkurt të vitit 2022, megjithëse kohët e fundit i ka lehtësuar rregullat për ata të moshës mes 18 dhe 22 vjeçe.
Të dhënat e publikuara në maj nga ligjvënësit ukrainas tregojnë se 45.000 burra kanë ikur jashtëligjshëm nga vendi qëkurse nisi zbatimit i ndalesës. Shumica e tyre kanë ikur për ta shmangur thirrjen në ushtri, që është një problem në rritje sepse Ukraina po përpiqet t’i plotësojë radhët e ushtrisë së saj.
Por, një burrë me të cilin Current Time foli online – identiteti i të cilit mbahet i fshehtë për arsye sigurie – rrëfeu një tregim ndryshe.
Ai iu bashkua një njësiti parashutistësh pesë vjet më parë, duke shpresuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të arrinte një zgjidhje diplomatike për konfliktin kundër forcave ruse dhe proruse në rajonin lindor të Donbasit, i cili ua mori jetën rreth 13.000 njerëzve prej vitit 2014, kur Moska nxiti separatizmin atje.
“Në atë kohë dukej sikur gjithçka po shkonte drejt fundit. Zelensky erdhi në pushtet [në 2019] dhe premtoi se do të bënte marrëveshje edhe me djallin po të sillte paqe”, tha ai.
“Kur filloi lufta e plotë, kuptova se kisha tri zgjedhje: aftësi të kufizuara, probleme psikologjike ose vdekje. Por, pastaj kishte edhe një mundësi tjetër: dezertim”.
Pasi braktisi njësitin, ai shkoi drejt kufirit me Rumaninë dhe qëndroi fshehur për disa javë në një shtëpi me qira në anën ukrainase, derisa kontrabandistët erdhën për ta marrë.
“Ata më morën një natë me veturë. Më çuan deri te kufiri. Lumi Tisa – që formon një pjesë të kufirit në perëndim të Ukrainës – ishte 15 metra para meje”, tha ai.
“Aty gjeta lirinë. Vrapova dhe notova pak. Ishte rreth 30 metra not, dhe u kalova në anën rumune”.
Vitaliy, që më parë ishte shofer ambulance në një zonë kufitare të rajonit Çernivtsi, tha se i kuptonte disi ata që kërkonin të iknin – por se detyra e tij ishte t’i ndalonte.
Rojet kufitare përdorin dronë dhe kamera të fshehta automatike për t’i vëzhguar pyjet dhe fushat e misrit në këtë zonë. Shumica e përpjekjeve për kalimin kufitar ndodhin natën. Përveç lumit, ka edhe një gardh me tela me gjemba – por ai nuk i ndalon gjithmonë njerëzit.
“Ata nganjëherë hedhin sipër tij dyshekë kampingu ose thes gjumi dhe e kapërcejnë atë”, tha Yuriy, një tjetër rojë kufitare.
“Ka pasur edhe raste kur kanë sjellë shkallë”, shtoi ai.
Njerëzit që kapen duke u përpjekur ta kalojnë kufirin jashtëligjshëm, mund të gjobiten dhe të dërgohen në zyrat e rekrutimit.
Kontrabandistët mund të dënohen me burgim deri në nëntë vjet, por kjo nuk vlen për fëmijët që shpesh përdoren si udhërrëfyes.
“Detyra e tyre kryesore është pjesa e fundit e rrugës, 3-5-8 kilometra. Formojnë grupe nga 3 deri në 8 veta. I udhëheqin përgjatë shtigjeve të vogla, sepse e njohin mirë zonën kufitare”, shpjegoi Kostyantyn Lesnik, një oficer i lartë i njësitit kufitar të rajonit Çernivtsi.
Kjo lojë sikur macja me miun përgjatë kufijve perëndimorë të Ukrainës është tregues se si përpjekjet e Kievit në këtë luftë po pengohen nga mungesa e ushtarëve.
Dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas janë vrarë dhe qindra mijëra janë plagosur gjatë pushtimit të plotë rus.
Dezertimet dhe mungesat pa leje po lënë pasoja të mëdha: autoritetet kanë hapur më shumë se 110.000 hetime për mungesa pa leje në muajt e parë të vitit 2025, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të mungesave ishin bërë qysh nga fillimi i pushtimit.
Mbi 50.000 raste dezertimi janë hapur që nga shkurti i vitit 2022.
Arratisja e atyre që shmangin thirrjen në ushtri pasqyron gjithashtu problemet me rekrutimin e ulët, që nganjëherë ka çuar në skena ku burrat merren me forcë nga rruga.
Vetëm këtë muaj, ushtarë dhe policë të përfshirë në përpjekjet e mobilizimit dyshohet se kanë përdorur dhunë ndaj burrave në moshë ushtarake.
Më 15 tetor, disa ushtarë u arrestuan në Ternopil, në Ukrainën perëndimore, dhe po hetohen për rrëmbim dhe grabitje, pasi dyshohet se kanë kërkuar para nga civilë dhe ushtarë të plagosur.
Dy ditë më vonë, dy policë në Kiev dyshohet se rrahën një burrë pranë një zyre rekrutimi.
Kundërshtimi i shërbimit në ushtri është nxitur nga raportet për korrupsion në zyrat e rekrutimit dhe nga ata me lidhje që gjejnë mënyra ligjore për ta shmangur thirrjen në ushtri.
Një ligj kontrovers për mobilizim u miratua në vitin 2024 për ta rritur numrin e ushtarëve.
Gjithashtu, vitin e kaluar, hetimet zbuluan se disa zyrtarë qeveritarë kishin shmangur shërbimin ushtarak duke falsifikuar përfitime invaliditeti.
“E kemi shkatërruar mobilizimin me mënyrën si e kemi trajtuar”, tha për Shërbimin ukrainas të REL-it veterani i luftës dhe juristi Oleh Simoroz.
“Ne po i dekurajojmë njerëzit nga shërbimi në ushtri”, përfundoi ai. REL
















