Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Si nuk u veselitën, xhanëm, me urrejtjen ndaj gay-ve?

2016/05/13 at 11:17 AM
në Aktualitet, Komente, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Si nuk u veselitën, xhanëm, me urrejtjen ndaj gay-ve?

Nga Mustafa Nano


Janë dëgjuar shumë zëra ditët e fundit kundër martesave gay. Sipas tyre, politika po bëhet gati t’i legalizojë këto martesa. E vërteta është se nuk kemi dëgjuar që diskutimi mbi një çështje të tillë të jetë futur në agjendën parlamentare, por zërat e shqetësuar janë ngritur mbi faktin që është rënë dakord të bëhet një ndryshim në Kushtetutë, i cili, ky është pretendimi, do t’u hapë rrugë martesave gay.

Është fjala për nenin 18 të Kushtetutës, pikën 2, që duan ta sjellin në formën që vijon: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla, si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, identiteti gjinor, orientimi seksual….”. Është shtuar vetëm termi “orientimi seksual”.

Gjithë pjesa tjetër e pikës së këtij neni është siç ka qenë. E kështu, alarmi i këtyre njerëzve është i pakuptueshëm. Çfarë do donin këta? Do donin që njerëzit të diskriminoheshin për shkak të orientimit seksual? Në fakt, janë të gjitha gjasat që ta duan pikërisht këtë, s’ka gjë se nuk e thonë, s’ka gjë se shfaqen të shqetësuar për tjetër gjë. “Ka një hile në këtë histori. Duan të legalizojnë martesat gay”, thonë.

Mirëpo nuk merret vesh se pse barazia që u ofrohet njerëzve pavarësisht orientimit të tyre seksual të çon domosdoshmërish te legalizimi i martesave gay. Ky ndryshim kushtetues pra nuk është provë se parlamenti po bëhet gati të bëjë legalizimin e martesave gay.

E megjithatë, diskutimi mbi këtë çështje mund të bëhet. Është një diskutim në modë gjithandej. E nuk është se janë vetëm konservatorët që janë kundër martesave gay. Ka edhe progresistë­liberalë që janë kundër. Madje, ka edhe mes gay­ve që janë kundër. Meqë jam në këtë pikë, po ngutem të them se edhe unë jam kundër martesave gay. E në këtë mes nuk kam frikën që kanë konservatorë gjithfarësoj, d.m.th. që martesat gay janë një kërcënim për institucionin e familjes që ngrihet mbi bashkimin burrë­grua e për vlera të tjera të botës heteroseksuale.

Jo, unë nuk e besoj se martesat gay janë një kërcënim i këtij tipi. Ky është një panik i kotë. Familja, kështu si e njohim ne atë, ekziston prej shekujsh e do të mbetet për shekuj të tjerë, madje përgjithnjë. Unë martesat gay i shoh në radhë të parë si një kërcënim për vetë gay­të. Mund të jetë e lehtë për ta, ashtu si edhe për minoritete të tjera, të fitojnë njohjen ligjore të të drejtave të tyre, apo thënë ndryshe, barazinë para ligjit me të gjithë të tjerët. Por barazia ligjore nuk është barazi e plotë.

Nuk mjafton vetëm ligji për të fituar ca të drejta që janë mohuar, apo nuk janë njohur, prej shekujsh. Duhet përgatitur edhe shoqëria për një ndryshim të tillë. Madje, e mira do ishte që ky ndryshim ligjor të vinte si reflektim i mendësive e zakoneve socio­kulturore, apo pas një edukimi të shoqërisë me idenë e këtyre të drejtave. Dhe është kjo që ka ndodhur kudo në botë. E prandaj, këmbëngulja e gay­ ve për ta arritur këtë fitore të tyren me çdo kusht, edhe pse shoqëria nuk është e gatshme për një hap të tillë, nuk bën gjë tjetër, veçse rrit animozitetin ndaj tyre të pjesës konservatore të shoqërive ku ata jetojnë.

Dhe ky animozitet mund të shpërthejë një ditë prej ditësh, gjë që do të ishte e padëshirueshme, sepse kështu do të komprometoheshin edhe çfarë ata kanë arritur deri më sot. Gay­të mund t’i gëzohen faktit që në një numër shtetesh është arritur të njihet e drejta për martesat mes tyre, por nuk duhet të harrojnë se kjo e drejtë ngrihet mbi një vullnet të elitave politike e kulturore, e jo mbi një konsensus popullor.

Ka do vende, shoqëritë e të cilave janë të përgatitura edhe kulturalisht për të pranuar të drejtat e gay­ve për t’u martuar mes vedi, por në shumicën e vendeve ku kjo e drejtë gay­ve u është njohur ligjërisht, shoqëritë nuk kanë qenë ende të gatshme. Sikur të varej prej tyre, gay­të do të ishin ende pa të drejtat që gëzojnë sot. Ose le të themi, pa një pjesë të tyre. Sa më sipër, ka të bëjë me botën perëndimore.

Në Shqipëri gjërat komplikohen edhe ca më shumë. Këtu shoqëria jo e jo, por as elita nuk është gati të njohë të drejtat e gay­ve. Do krerë të politikës kanë dhënë ok­in e tyre për martesat gay, por këtë e kanë bërë sa për sy e faqe, nën presionin e faktorit ndërkombëtar, madje kundër një dispozicioni të tyrit. Edhe të tjerët do ta japin ok­in, gjithashtu, bën vaki që të japin edhe votën në parlament, por këtë e bëjnë nga halli, jo nga qejfi.

Të ish se do varej nga ta, ata do t’i piqnin gay­të në hell. Për këtë arsye, kërkesa për të legjitimuar martesat gay në Shqipëri është një gjë shumë e sforcuar, për të mos thënë surreale. Dhe në këtë rast, nuk jemi më te frika e ndonjë animoziteti të të tjerëve ndaj gay­ve. Jo, nuk është më ky problemi. Ky animozitet është qysh tani shumë i madh në Shqipëri. Madje, vijon të ushqehet nga zëra publikë.

Problemi është që gay­-të në Shqipëri kanë praktikisht një axhendë tjetër, të ndryshme nga ajo e gay­ve në vende të tjera të botës. Në perëndim, martesat gay janë fundi i një procesi që ka nisur herët, dhe ky proces ligjor ka ecur paralelisht me (apo është mbështetur mbi) edukimin e emancipimin e shoqërisë. Ndërsa këtu, çdo përpjekje për të legalizuar martesat gay do ishte si të synoje të arrije në finish pa u vënë në start. Përballë presionit perëndimor, ne duhet të dimë të qëndrojmë, duhet t’u themi atyre se të legalizosh martesat gay në Shqipëri në ditët e sotme është e parakohshme, nuk do të kuptohej, nuk do të mirëpritej, do të ishte si të legalizoje të drejtën e njerëzve me ngjyrë për t’u zgjedhur në Amerikën e një shekulli më parë apo të drejtën e grave për të votuar dy shekuj më parë.

Dukuri e praktika të tilla nuk mund të eksportohen prej tyre si të ishin telefona celularë. Ndryshe, i bie që të ndodhë ajo që po ndodh në Irak apo në vend të tjera të botës arabe, ku donin të eksportonin demokracinë dhe kanë mbjellë kaosin e tmerrshëm. Po kthehem te gay­të tanë. Sikur të isha njëri prej tyre, do të shqetësohesha për faktin që shoqëria, pjesë e së cilës jam, është thellësisht homofobike, e jo sepse nuk më njihet e drejta për t’u martuar,

E për këtë, përpara se të kërkoja njohjen ligjore të të drejtave të mia, do të synoja të gjeja aleatë në përpjekjet për edukimin e shoqërisë. Madje asëll­asëll, edukimin e elitave, të cilat janë frikshmërisht homofobike. Dhe këtu po ju them një sekret: Mund të ketë shumë zëra publikë që dalin në mbrojtje të të drejtave të gay­ve për të qenë të barabartë me të tjerët, por vetëm shumë pak prej tyre e kanë seriozisht. Pjesa më e madhe e tyre janë me dy fytyra.

Ata thellë-­thellë do donin që gay­të t’i syrgjynosnin në fund të botës, por puna ua do të shtiren si dashnorë të kauzës së të drejtave të njeriut. Këta hipokritë, në thelb, nuk janë të ndryshëm nga ata që s’e kanë për gjë që ta shprehin hapur urrejtjen e tyre nga ndaj gay­ve.

Njëri prej këtyre të fundit, me emrin Brenton Kotorri, e kish bërë këtë gjë pardje në gazetën “Mapo”. Kish bërë një shkrim të tmerrshëm. Gazeta “Mapo” ka një linjë editoriale konservatore, dhe në këtë kuptim zërat që ngrihen në faqet e saj kundër martesave gay janë një gjë që kuptohet. Unë vetë, e thashë më sipër, nuk jam pro martesave gay, sido që motivimet e mia nuk janë të natyrës konservatore.

Prandaj, nuk ishte kjo që më shqetësoi në shkrimin e Kotorrit me titull “Bota e re gay”. Më shqetësoi urrejtja e tij, më saktë guximi i tij i pacipë për ta shprehur faqe botës e me mburrje këtë urrejtje për ata që kanë bërë krimin se kanë qëlluar të jenë të ndryshëm prej tij, në këtë rast, gay-­të (Ky është një nga ato rastet, kur unë jam i prirur ta besoj atë pretendimin e ca e cave, që thonë se ata që zbrazin urrejtje kundër gay­ve e bëjnë këtë edhe për të yshtur a shtypur një pulsion të fortë gay që e kanë brenda vetes).

Nuk linte gjë të ndyrë pa nxjerrë nga goja ky zotëria. Thoshte se gay­të janë të degjeneruar (përfytyroni: Michelangelo është i degjeneruar, ndërsa Kotorri është një qenie humane e virgjër, e dëlirë, e kulluar!!!), se ata janë pacientë, se ata kanë nevojë të kurohen, se gay­të që kurohen janë modelet e forcës e vullnetit human, se gay­të nuk lindin të tillë, ata thjesht zgjedhin të jenë gay (do bënte mirë të na thoshte Kotorri se kur ka qenë momenti a rrethana që ai ka zgjedhur të jetë heteroseksual).

Gazeta “Mapo” nuk bën mirë, sipas meje, që ua lë në dispozicion faqet e veta njerëzve të tillë që me mendje janë ende në shekujt e mesjetës. Apo për të folur me gjuhën që Kotorri e ka qejf, janë “pacientët, të sëmurët e të degjeneruarit” e vërtetë në këtë vend.



Ju sugjerojmë

Mziu nxjerr videon:PS në terren me administratën, shpërndan para në këmbim të votës!
Aktualitet

Mziu nxjerr videon:PS në terren me administratën, shpërndan para në këmbim të votës!

10 Maj, 2025 4:33 pm
Incidenti në “Giro d’Italia”, rrëzohet çiklisti australian
Sport

Incidenti në “Giro d’Italia”, rrëzohet çiklisti australian

10 Maj, 2025 4:02 pm
1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921
Aktualitet

1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921

10 Maj, 2025 3:47 pm
Qytetari në Lezhë kallëzon kandidatin e PD, Gjin Gjoni: Më erdhi në banesë për votën
Aktualitet

Qytetari në Lezhë kallëzon kandidatin e PD, Gjin Gjoni: Më erdhi në banesë për votën

10 Maj, 2025 3:35 pm
“Votimi i shumëfishtë, krim”/ Celibashi: Mos e rreziko të ardhmen për një manipulim
Aktualitet

“Votimi i shumëfishtë, krim”/ Celibashi: Mos e rreziko të ardhmen për një manipulim

10 Maj, 2025 3:05 pm
Gramsh/Shembet masivi i dheut, humbin jetën dy të rinjtë që po punonin në kantier
Aktualitet

Gramsh/Shembet masivi i dheut, humbin jetën dy të rinjtë që po punonin në kantier

10 Maj, 2025 3:02 pm
Demokracia në SHBA nën presion
Bota

Trump: India dhe Pakistani ranë dakord për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm

10 Maj, 2025 2:50 pm
‘Giro d’Italia’/ Rama valëvit flamurin e nisjes për Etapën e Dytë në Tiranë
Aktualitet

‘Giro d’Italia’/ Rama valëvit flamurin e nisjes për Etapën e Dytë në Tiranë

10 Maj, 2025 2:41 pm
Ministri i Jashtëm serb: S’do të ketë sanksione nga BE pas vizitës së Vuçiç në Moskë
Rajoni

Ministri i Jashtëm serb: S’do të ketë sanksione nga BE pas vizitës së Vuçiç në Moskë

10 Maj, 2025 2:17 pm
Videoja e shqiptarit që voton në Gjermani,Celibashi:Historike përfshirja e diasporës
Aktualitet

Videoja e shqiptarit që voton në Gjermani,Celibashi:Historike përfshirja e diasporës

10 Maj, 2025 2:12 pm
Para
Kurrë nuk është tepër vonë për të kërkuar falje

Kurrë nuk është tepër vonë për të kërkuar falje

Bleona: Kam shumë kohë pa bërë seks dhe pa më thënë dikush të dua

Video/ Bes Kallaku këndon në dasmën e motrës së tij

Video/ Bes Kallaku këndon në dasmën e motrës së tij

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Mziu nxjerr videon:PS në terren me administratën, shpërndan para në këmbim të votës!

Mziu nxjerr videon:PS në terren me administratën, shpërndan para në këmbim të votës!
10 Maj, 2025

Vetëm një ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu ka akuzuar socialistët për blerje të...

Lexo më shumë

Incidenti në “Giro d’Italia”, rrëzohet çiklisti australian

Incidenti në “Giro d’Italia”, rrëzohet çiklisti australian
10 Maj, 2025

Ditën e sotme po mbahet etapa e dytë e “Giro d’Italia” në Shqipëri, në garën kronometër. E gjithë gara zhvillohet...

Lexo më shumë

1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921

1 shekull zgjedhje në Shqipëri/ Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921
10 Maj, 2025

Më 5 Dhjetor të 1920, qeveria e asaj kohe shpalli ligjin për zgjedhjen e deputetëve në Këshillin Kombëtar sot e...

Lexo më shumë

Qytetari në Lezhë kallëzon kandidatin e PD, Gjin Gjoni: Më erdhi në banesë për votën

Qytetari në Lezhë kallëzon kandidatin e PD, Gjin Gjoni: Më erdhi në banesë për votën
10 Maj, 2025

Policia e Lezhës ka nisur një hetim ndaj kandidatit për deputet të PD-së në këtë qark, Gjin Gjoni. Drejtoria Vendore...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com