Autorja e Tregimit të Genji-t e sheh me përçmin romancën e shekullit 21.
Një mijë vjet pas përfundimit të romanit të mrekullueshëm të parë psikologjik në botë, “The Tale of Genji”, autorja e saj, Lady Murasaki Shikibu, u kthye në Japoni. Megjithëse ajo gjithmonë kishte besuar te fantazmat, u habit që u kthye si e tillë. Befasia e saj më e madhe ishte të shihte si atdheu i saj kishte ndryshuar gjatë një mijëvjeçari. Për fat të mirë, një gazetar nga The Economist u gjend aty që t’ja treguar.
LADY MURASAKI: Udhëzuesi im i së ardhmes nuk është aspak i këndshëm për t’u parë. Është i huaj, me hundë të madhe. Vetullat i ka si vemje leshatore dhe rrobat aq të thjeshta sa duket qesharak. Është i mangët në pastoralitet. Nuk vë parfum dhe as nuk i referohet poezisë kineze kur flet. Sidoqoftë, kam humbur. Ndaj me duhet të rri me të për pak kohë. Duket se është fans i librit tim “Tregimi i Genji-t”, kjo më kënaq.
THE ECONOMIST: Kënaqësia është e gjitha e imja. Historia juaj për “princin e ndritshëm”, Genji dhe dashnoret e tij, është fara nga kanë mbirë rrënjët e letërsisë. Megjithëse aristokracia e periudhës së Heianit [794-1185] është e largët nga bota e sotme, romantizmi juaj i rrënjosur ende e sjell të gjallë për ne. Më thuaj, a është e vërtetë, siç thonë profesorët, se një nga të dashurat e Genjit është e bazuar te ju?
LM: Nuk do të ishte e përshtatshme për mua që t’i përgjigjem kësaj.
TE: Ju kërkoj falje për paturpsinë time. Por duke shikuar përmes dritares që hapët në një botë të zhdukur të ndjeshmërisë së madhe artistike, ku fisnikët lavdëronin gratë fisnike me kaligrafi dhe vargje, unë jam, si shumë nga lexuesit tuaj, tepër i intriguar nga ju. Ju keni jetuar në një kohë kur gratë nuk duhej të studionin shumë. Megjithatë ju i “kullufitët” librat në bibliotekën babait tuaj dhe shkëlqyet mbi çdo shkrimtar mashkull që ka prodhuar ndonjëherë vendi juaj. Gaye Roëley, një profesor në Universitetin Ëaseda, ju quan një “ikonë feministe”.
LM: Pra, keni profesore femra tani?
TE: Po, kemi.
LM: Kjo është e çuditshme. Por më pëlqen. Dhe më admirojnë njerëzit e ditur nga vendi ku ju vini gjithashtu?
TE: Ata ju admirojnë sot. Në të kaluarën, jo gjithmonë. Të parët që ju lexuan, në epokën Viktoriane, u tronditën nga sofistikimi juaj. Një historian skocez i quajti aristokratët tuaj si “të çoroditur, të shfrenuar, të përkëdhelur dhe mashtrues”. Të tjerë, megjithatë, ishin të entuziazmuar nga kultura e bukurisë që ju përshkruani. Siç po magjepsem unë tani nga veshjea juaj madhështore.
LM: Është një gjë e thjeshtë. Dymbëdhjetë shtresa prej mëndafshi, secila me një ngjyrë të ndryshme që përputhet me nuancat e peizazhit dimëror.
TE: Në thjeshtësi të tilla qëndrojnë mrekulli. Dhe me vetullat e rruajtura dhe ripikturuara në ballin tuaj, dhe dhëmbët e ngjyrosur në të zezë, dukeni shumë elegante … por kam frikë se në botën e sotme që mund të tërheqni vëmendjen e padëshiruar. Doni të merrni hua diçka më të rehatshme?
LM: Nuk mendoj se duhet të marr këshilla për rrobat nga një njeri që nuk vesh mëndafsh. Ku ndodhemi?
TE: Ky është kryeqyteti.
LM: Heian-kyo?
TE: Jo, qyteti që ne e quajmë Kyoto është tashmë kryeqyteti i Japonisë. Pallatet dhe tempujt që ju kujtohen juve janë zhdukur. Megjithëse faltoret e perëndeshës së diellit në Ise ende rindërtohen çdo 20 vjet, siç ishin në ditët tuaja. Perandori e ka zhvendosur kryeqytein në lindje. Në jetën tuaj të mëparshme nuk do denjonit ta vinit re. Ka qenë një fshat i humbur peshkimi.
LM: Është zmadhuar imagjinoj?
TE: Është shtëpi për pesë herë më shumë njerëz se sa kanë jetuar në të gjithë Japoninë tuaj. A dalim jashtë?
LM: Jo. Nuk dal jashtë nëse nuk është një ditë festive dhe Perandoresha më urdhëron ta shoqëroj.
TE: Ndoshta Perandoresha i dhuron fantazmave më shumë liri?
LM: Ndoshta. Vetëm këtë herë. O Zot i madh! Qindra pallate, aq të lartë sa që mezi mund të shoh mbi to. Karroca që lëvizin pa shërbëtorë. Pse të gjithë janë kaq të gjatë? Pse rrugët janë kaq verbuese kur qielli është i errët? Dhe ku janë të gjithë njerëzit e pisët?
TE: Këto janë dyqane, makina dhe dritat artificiale. Të gjithë këta kalimtarë janë ato që ju do të quanit “njerëz të thjeshtë” (tadabito), të cilët punojnë për të jetuar. Por ata lahen me ujë të nxehtë çdo ditë dhe janë shumë më të pasur se “njerëzit e mirë” (yoki hito) të gjykatës Heian.
LM: Po më ngatërron për dikë që interesohet për njerëzit e thjeshtë. Megjithatë është shqetësuese sa mirë jetojnë. Më trego për gjërat që kanë vërtetë rëndësi: artin, poezinë, muzikën, dashurinë. A pinë ende njerëzit verë orizi nën lulet e qershisë? Mahniten me bukurinë e tyre të shkurtër dhe me trishtim pranojnë përkohshmërinë e jetës?
TE: Po, ende iu duket sumo qesharak por zbavitës. Kanë shpikur edhe forma të reja arti. Një ceremony për të pirë çaj, një mënyrë për të rregulluar lulet, një lloj teatri muzikal i quajtur noh. Të gjitha mund t’i shijoni. Megjithatë do të urreni kabuki-n. bëhet fjalë për luftëtarë që dëmtojnë veten me shpata.
LM: Po bëni shaka me formën tuaj të kotë. Luftëtarët nuk ofrojnë asgjë veçse sjellje të pagdhendura dhe përgjigje të shkurtra. Me ta duhet të qeshim, jo t’i bëjmë subjekt tregimesh.
TE: Kam frikë se shpërfillja e klasës së luftëtarëve nuk ka funksionuar mirë për “njerëzit e mirë” tuaj. Do t’ju jap një libër historie.
LM: Atëherë le të flasim për diçka më pak të shëmtuar. A zhvillojnë japonezët moderne gara për të parë se kush mund të shkruajë poezinë më të mirë të dashurisë? Ose festa uji, ku miqtë grumbullohen në rrjedha uji dhe gotat me sake pluskojnë. Pijnë nga një me rradhë dhe recitojnë vargje?
TE: Jo, por shpesh ngrihen para shokëve të tyre dhe këndojnë këngë dashurie me zë të lartë pasi kanë pirë shumë. Ndonjëherë, ata këndojnë këngë nga një grup muzikor që quhet Hikaru Genji (Shining Genji).
LM: Aaah, Genji. Kur kërcente “Valët e Detit Blu”, ai dukej aq i hijshëm sa vetë Perandori mbytej në lot.
TE: Njerëzit ende qajnë në vallëzime dhe muzikë. Në koncerte nga këngëtarë të famshëm që kërcejnë me energji, të rinjtë madje edhe bërtasin.
LM: Shpresoj janë më të rafinuar kur takohen me njëri tjetrin. Mund të pyes: sa gra dhe konkubina keni?
TE: Vetëm një.
LM: Ju jeni një “njeri i thjeshtë”, atëherë, jo një “person i mirë”?
TE: Shumë i thjeshtë. Por sot edhe perandori ka vetëm një grua.
LM: Kuptoj. Pra, nëse gruaja nuk prodhon asnjë fëmijë, do të duhej emëronte një bir prej konkubinave të tij si trashëgimtar?
TE: Mesa unë e di, ai nuk ka konkubina.
LM: Perandori nuk ka konkubina? Kjo është e turpshme.
TE: Pothuajse të gjithë burrat e martuar kanë vetëm një grua. Disa kanë dashnore, por ata vazhdojnë të heshtin rreth tyre. Disa të rinj heqin dorë tërësisht nga romanca. Ju duket shqetësuese dhe qëndrojnë në shtëpi duke ndezur në ekranet e tyre.
LM: Romanca është shqetësuese? Nuk mund ta besoj këtë. Megjithatë, jam e kënaqur të dëgjoj se njerëzit ende kanë ekranet në shtëpi. E imja ishte elegante. Korniza ishte prej druri të lëmuar, perdet ndryshonin ngjyrën me stinët. Ishte kënaqësi të uleshe pas tij dhe të dëgjoje kandidatët të deklaronin dashurinë duke folur për gjethet e vjeshtës që veniten. Nëse ai ishte simpatik, unë e ftoja atë në anën time të ekranit për të “parë” mua …
TE: E shoh.
LM: Nëse ai ishte i mërzitshëm, unë shkoja në një dhomë tjetër dhe ai fliste pa pasur një ide se nuk po e dëgjonte njeri.
TE: Mendoj se po flasim për lloje të ndryshme të ekranit.
LM: Pa dyshim ekranet tuaja moderne kanë më pak shije. Por më tregoni më shumë rreth të rinjve sot që janë dembel për dashuri. E kam shumë të vështirë ta imagjinoj. Për ne, ritualet e gjuajtjes ishin një gëzim. Një fisnik dëgjonte thashethemet për bukurinë e një gruaje. Më pas, dërgonte një letër – dhe do të duhej të ishte një vepër arti.
TE: Po, kjo ka ndryshuar sigurisht.
LM: Së pari, ai do të zgjidhte letrën e duhur. Pastaj, do të shkruante një poemë 31-rrokjeje në një aspekt të natyrës, me një aluzion për një poezi klasike kineze dhe një aluzion në thellësinë e pasionit të tij. Ai do ta shkruante me kaligrafinë perfekte dhe do të bashkonte një degëz të shelgut ose lule kumbulle që përputhej me disponimin e poemës. Pastaj ai do ta dërgonte letrën me një djalë të veshur mirë dhe do të priste, me zemër të ngrirë, për përgjigjen e saj.
TE: Kaligrafia ishte e rëndësishme?
LM: Askush nuk mund ta dashurojë një burrë apo grua që nuk di të shkruajë letra. Mbaj mend njëherë, kur Princ Genji ishte shtrirë me mua në dhomën time. Atij i erdhi një letër nga gruaja e tij e re, princesha 13 vjeçae Nyosana. Isha e shqetësuar. Nuk e prisja që Genji të qendronte besnik ndaj meje. Ishte e pamendueshme për një burrë të rangut të tij. Por si një prej dashnoreve të tij të preferuara, shpresoja që ai të mos marrosej pas gruas së tij të re. dhe ajo shkruante si fëmijë! Genjit i duheshin lidhjet familjare për martesën, por më la t’i hidhja një sy letrës dhe tha: “E shikon, nuk ke asgjë për t’u shqetësuar.”
TE: Shkrimi i keq nuk është më i domosdoshëm për të gjetur dashuri. Një problem më i madh sot është aftësia e dobët sociale. Kishte një shembull të gjallë kohët e fundit. Një burrë 35 vjeçar u martua me një figurë në lëvizje. Ne e quajmë një hologram. Ai organizoi një ceremoni martese të shtrenjtë, duke shpjeguar se ndryshe nga gratë e vërteta, gruaja e tij virtuale nuk do ta quante kurrë otaku (një geek), nuk do të mashtrojë apo do të plaket.
LM: Kjo nuk është kaq e çuditshme. Perandori Ichijo e promovoi macen e tij në rangun e pestë të fisnikërisë, duke i dhënë të drejtën të mbante një veshje prestigjioze.
TE: Deshte macet, e? Megjithatë, kthehemi në bisedë: Të rinjtë moderne i shkruajnë mesazhe njëri-tjetrit në ekranet e tyre të shndritshme. Mesazhet dërgohen në çast. Nëse dy njerëz pëlqehen, ata takohen në një restorant dhe hanë së bashku peshk të papërpunuar.
LM: Peshk të papërpunuar? Kjo nuk tingëllon bukur. Dhe nëse nuk janë takuar, si e njohin njëri-tjetrin?
TE: Përsëri, është përmes ekranit. Shiheni këtë në dorën time. Këtu shfaqet Tapple, një nga aplikacionet japoneze më të famshme të takimeve. Kjo e bën romancën më të thjeshtë.
LM: Pse do të dëshironit ta bënte më të thjeshtë? Argëtimi qëndron në komplikime të pafundme!
TE: Shumë të rinj janë të turpshëm. Makina u kërkon atyre pyetje për të nxjerrë informacione që të dashuruarit mund të duan të dinë. Ju mund të kërkoni për dikë që jeton në të njëjtën zonë, ose ka të njëjtat hobi. Për burrat, hobit më të popullarizuara, sipas Tapple, janë alkooli,muzika dhe qëndrimi në shtëpi.
LM: Përjetime fisnike! Dhe kjo makinë që funksionon si ekran dhe një letër dhe një djalë mesenxher, mund të gjejë njerëz që pëlqejnë të njëjtat gjëra si ju?
TE: Po.
LM: A mund të gjeni burra që pëlqejnë “Tregimin e Genjit”?
TE: Këtu janë dhjetë prej tyre. Genji është ende popullor, edhe nëse disa njerëz e lexojnë në mangaform, me fotografi.
LM: Sa kënaqësi. Dhe më pëlqen fytyra e zbehtë, e fryrë dhe sugjerimi i thekur për një mjekër. Si është kaligrafia i tij?
*marrë nga The Economist, përshtati: Elena Lika/Opinion.al*