Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Si askund në rajon, në Kosovë duhen vetë 3 muaj për t’u bërë polic

2024/11/20 at 12:53 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Si askund në rajon, në Kosovë duhen vetë 3 muaj për t’u bërë polic

Për përdorimin e armëve të gjata, vetëm tri ditë stërvitje! Kaq thotë se ka kaluar Ekremi, i cili është pjesëtar i gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.


“Kjo është shumë pak për t’u aftësuar siç duhet”, sipas tij.

Ekremi, identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë, ka kryer një pjesë të trajnimit në fillim të këtij viti.

“Një ditë kemi mësuar vetëm literaturë, të nesërmen kemi demonstruar dhe pastaj kemi dalë në gjuajtje. Personalisht, mendoj se duhet të ketë trajnime më të gjata – edhe jashtë plan-programit në akademi”, thotë ai.

Shkëlzeni, një tjetër pjesëtar i gjeneratës së 59-të të policëve, tregon po ashtu se është stërvitur vetëm tri ditë për qitjen me armë të gjata. Ndonëse për të thotë se ato kanë qenë të mjaftueshme, ai shton se ka vënë re se shumë kolegë të tij nuk kanë arritur të mësojnë shumë.

Policia e Kosovës konfirmon se ka më shumë se një vit që ka ndryshuar planin e trajnimit profesional të policëve të rinj, nga gjashtë muaj sa ka qenë më herët, kohëzgjatja e tij është bërë tre muaj, gjë të cilën ekspertët e sigurisë e përshkruajnë si shqetësuese.

Në Inspektoratin Policor të Kosovës thonë se ka shtim të lehtë të ankesave për policët këtë vit.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në anën tjetër, thotë se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Policinë, për të siguruar respektimin e standardeve ndërkombëtare, të cilat përfshijnë edhe shkurtimin e programeve të trajnimit.

Përse është shkurtuar kohëzgjatja e trajnimit?

Policia e Kosovës thotë se vendimi është marrë në përshtatje me “nevojat dhe kërkesat e saj operative”, por nuk ofron më shumë detaje rreth tyre.

“Modulet e parapara që të zhvillohen me kadetë policorë, janë fuzionuar dhe janë inkorporuar temat gjithëpërfshirëse, me ç’rast plan-programi i trajnimit profesional ‘zyrtar policor’ zhvillohet në kohëzgjatje prej 12 javësh, apo tre muajsh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Në OSBE – misionin që me programe të ndryshme e ka mbështetur Policinë që nga themelimi i saj në vitin 1999 – thonë se disa prej arsyeve të këtij vendimi lidhen me “mungesat e përkohshme të personelit”.

“Marrë parasysh natyrën e ndryshimit, misioni është i gatshëm ta mbështesë Policinë e Kosovës derisa vazhdon t’i riorganizojë prioritetet e saj të stafit dhe operacionale”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

Policia e Kosovës, aktualisht, ka 9.089 pjesëtarë, përfshirë edhe gjeneratën e 61-të, e cila ka dalë muajin e kaluar.

Burime brenda Policisë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se me strategjinë e re të këtij institucioni, parashihet që numri i forcave policore të rritet së shpejti në mbi 10.300.

Policët e rinj trajnohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit.

Kjo akademi është akredituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatim të Ligjit (IADLEST) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Asnjëri prej dy institucioneve të lartpërmendura nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar zvogëlimin e kohëzgjatjes së trajnimit të policëve të rinj.

Në Policinë e Kosovës shprehen të bindur se trajnimi u mundëson kadetëve policorë të pajisen me njohuri të mjaftueshme për rregullat e sigurisë, si dhe për manipulimin me armët që përdoren nga ky institucion.

“Trajnimi për armë zjarri zgjat dy javë. Në të përfshihen armët e shkurtra dhe të gjata, sipas Ligjit për armë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

“Kadetët policorë i nënshtrohen testit me shkrim dhe testimit praktik në gjuajtje” dhe më pas “vlerësohen nga stafi trajnues në skenarë të ndryshëm”, thuhet po ashtu.

Sa gjenerata policësh dolën këtë vit?

Me kohëzgjatje të reduktuar të trajnimit, këtë vit dolën tri gjenerata policësh: 59, 60 dhe 61.

Sipas Policisë së Kosovës, gjenerata e 59-të kishte 449 policë dhe u punësua më 22 janar.

Gjenerata e 60-të kishte 460 policë, që u punësuan më 29 prill, dhe e 61-ta kishte 467 policë, që u punësuan më 21 tetor.

Për njohësit e sistemit të sigurisë, trajnimi prej tre muajsh i policëve të rinj është larg të qenët i mjaftueshëm.

Kjo situatë, sipas tyre, është duke shkaktuar edhe probleme në terren.

“Nuk besoj se jemi në ndonjë situatë emergjente për t’i përfunduar këto trajnime me kaq shpejtësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, i cili tani shërben si kryesues i shqyrtimit të përdorimit të forcës dhe të armëve të zjarrit në këtë institucion.

Ai sugjeron që trajnimi për policët e rinj të zgjasë së paku gjashtë muaj ose më shumë, në mënyrë që ata të jenë të aftë për adresimin e situatave të ndryshme.

“Në disa fusha – me aq sa kam njohuri unë – bëhen vetëm dy apo tri orë trajnim për disa pajisje. Me ato orë, ku të shkohet në terren? Ku dhe si të përdoren ato [pajisje]?”, thotë Maliqi.

Sipas tij, ka një numër policësh – kryesisht të rinj – që hasin në vështirësi gjatë zbatimit të ligjit, për shkak të mungesës së njohurive të duhura.

Problemet më të mëdha thotë se lidhen me përdorimin e armëve, pasi koha e trajnimit për to është përgjysmuar – nga tetë orë sa kanë qenë për armë të gjata, janë bërë katër – dhe kjo “është shumë pak”.

“…sepse kemi vetëlëndime të policëve, të anëtarëve të familjes, por edhe të kolegëve, të cilët kanë pësuar për shkak të përdorimit të armëve jo siç duhet”, tregon ish-drejtori i Policisë.

Në Inspektoratin Policor të Kosovës konfirmojnë se, këtë vit, kanë regjistruar katër raste të shkrepjeve aksidentale të armëve nga policët, të cilat janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Të dhënat që ia siguroi Radios Evropa e Lirë ky Inspektorat, tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti, ai ka pranuar dhe ka menaxhuar gjithsej 1.524 ankesa për policët.

Prej tyre, gati 1.000 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme, ndërsa mbi 500 janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve, nën dyshimet për veprimtari penale.

Në përgjigjen e Inspektoratit thuhet se, në krahasim me vitin e kaluar, ka një rritje të lehtë të numrit të ankesave për policë, por nuk specifikohet më shumë.

Në lidhje me shkurtimin e kohëzgjatjes së trajnimit të policëve të rinj, Inspektorati nuk deshi të përgjigjej, duke e referuar Radion Evropa e Lirë te Policia e Kosovës dhe tek Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Inspektorati tha vetëm se gjatë realizimit të inspektimeve në një numër stacionesh policore, ka hasur në situata ku përfshirja në kurset e ricertifikimit nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar.

Në këto raste tha se “ka rekomanduar përfshirjen më të madhe të zyrtarëve në kurset e tilla”.

Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Ambasadën amerikane në Prishtinë, pasi SHBA-ja ofron trajnime të ndryshme për policët kosovarë, por ajo nuk u përgjigj.

Sa trajnohen policët në rajon?

Në Shqipëri, trajnimi bazë i policëve zgjat gjashtë muaj, e po aq edhe në Serbi.

Në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, trajnimi për gradën “polic” zgjat gjithsej tetë muaj, nga të cilët pesë muaj janë mësim teorik në Akademinë e Policisë së Ministrisë Federale të Arsimit dhe Kulturës dhe tre muaj praktikë në agjencitë policore.

Në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, kohëzgjatja totale e trajnimit policor dhe formimit profesional është 14 muaj, nga të cilët 36 javë mësimore në Akademinë e Policisë dhe gjashtë muaj në njësitë organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska.

Në Maqedoninë e Veriut, trajnimi për policët e rinj zgjat 12 muaj, ndërsa në Mal të Zi dy vjet.

Eksperti i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky shkurtim i kohëzgjatjes së trajnimit të policëve kosovarë nuk mund të justifikohet, pasi rrezikon të ndikojë ndjeshëm në performancën e tyre, kur bëhet fjalë sidomos për përdorimin e armëve të zjarrit.

Ai beson se prapa këtij vendimi qëndron nevoja për shtimin e kapaciteteve njerëzore, por thotë se një gjë e tillë është dashur të adresohet më me kujdes.

Mungesa të policëve ose të gradimit të tyre ka pasur edhe më herët, sipas Ibishit, dhe kjo nuk është një problematikë e re.

“Është dashur të planifikohet me kohë trendi i pensionimit apo çështja e mungesës së kuadrove. Por, kur bëhen programet e tilla, [Policia] i anashkalon ekspertët e fushës, njohësit e çështjeve të sigurisë dhe [profesionistët] e nivelit akademik”, thotë ai.

Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se dorëheqje në tre vjetët e fundit kanë dhënë 727 pjesëtarë, por nuk i sqarojnë arsyet.

Megjithatë, në mesin e tyre janë mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kthimi i tyre në radhët e policisë nuk është më i mundur.

“Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve [të rinj] të komunitetit serb”, ka thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 24 shtator.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Mosha e pensionimit të policëve është 65 vjeç.

Një projektrezolutë që përfshinte pensionimin e parakohshëm të tyre – e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë në tetor të vitit të kaluar – nuk u çua përpara nga Kuvendi i Kosovës.

Policët kosovarë nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor./REL



Ju sugjerojmë

Videot e Zegjine Çaushit për Bardhin, Balluku: Është luftëtare!
-U tha në Opinion

Videot e Zegjine Çaushit për Bardhin, Balluku: Është luftëtare!

14 Maj, 2025 11:14 pm
Akuzat për vjedhjen e votës së diasporës, Topalli: E kam parë me sytë e mi që…
-U tha në Opinion

Akuzat për vjedhjen e votës së diasporës, Topalli: E kam parë me sytë e mi që…

14 Maj, 2025 11:05 pm
Presion ndaj administratës? Balluku në ‘Opinion’: Nuk i njoh drejtorët e Fierit!
-U tha në Opinion

Presion ndaj administratës? Balluku në ‘Opinion’: Nuk i njoh drejtorët e Fierit!

14 Maj, 2025 10:47 pm
‘Përplasje’ te Parku Olimpik për votën e diasporës? Balluku: Lapaj kërkoi rinumërim
-U tha në Opinion

‘Përplasje’ te Parku Olimpik për votën e diasporës? Balluku: Lapaj kërkoi rinumërim

14 Maj, 2025 10:38 pm
Costa: Nevojitet ulja e tensioneve për t’i hequr masat e BE-së ndaj Kosovës
Rajoni

Costa: Nevojitet ulja e tensioneve për t’i hequr masat e BE-së ndaj Kosovës

14 Maj, 2025 10:09 pm
Mbeti pa mandat deputeti, Spaho njofton largimin nga politika
Politikë

Mbeti pa mandat deputeti, Spaho njofton largimin nga politika

14 Maj, 2025 9:55 pm
Mashtron 91-vjeçarin, i merr paratë e hipotekës dhe zhduket pa bërë aplikimin
Aktualitet

Mashtron 91-vjeçarin, i merr paratë e hipotekës dhe zhduket pa bërë aplikimin

14 Maj, 2025 9:41 pm
Berisha ‘porosi’ drejtuesve politikë: Dokumentoni grabitjen e votës!
Politikë

Berisha ‘porosi’ drejtuesve politikë: Dokumentoni grabitjen e votës!

14 Maj, 2025 9:25 pm
Berisha: Bandat vepruan në 10 qarqe për të sjellë në Parlament 30 deputetë të PS!
Politikë

Berisha: Bandat vepruan në 10 qarqe për të sjellë në Parlament 30 deputetë të PS!

14 Maj, 2025 9:17 pm
Zgjedhjet e 11 Majit, Berisha: Vjedhja dhe korrupsioni u shndërruan në votë!
Kryesore

Zgjedhjet e 11 Majit, Berisha: Vjedhja dhe korrupsioni u shndërruan në votë!

14 Maj, 2025 9:06 pm
Para
Rama reagon për vrasjen e 14-vjeçarit dhe jep lajmin: Po mendojmë të mbyllim “TikTok” dhe “SnapChapt” në Shqipëri 

Rama reagon për vrasjen e 14-vjeçarit dhe jep lajmin: Po mendojmë të mbyllim “TikTok” dhe “SnapChapt” në Shqipëri 

Takimi me Presidentin, Shehaj: Nuk mund të mbahet Samiti me liderët e Europës para zgjedhjeve! 

Takimi me Presidentin, Shehaj: Nuk mund të mbahet Samiti me liderët e Europës para zgjedhjeve! 

“Do jetë gati për 20 muaj!”/ Rama: Do ngremë kontrolle në shkolla dhe klasa me kamera inteligjente

“Do jetë gati për 20 muaj!”/ Rama: Do ngremë kontrolle në shkolla dhe klasa me kamera inteligjente
















TE FUNDIT

Videot e Zegjine Çaushit për Bardhin, Balluku: Është luftëtare!

Videot e Zegjine Çaushit për Bardhin, Balluku: Është luftëtare!
14 Maj, 2025

Drejtuesja politike e PS-së në Fier, Belinda Balluku, në një lidhje për emisionin 'Opinion', hodhi akuza ndaj kundërshtarit të saj,...

Lexo më shumë

Akuzat për vjedhjen e votës së diasporës, Topalli: E kam parë me sytë e mi që…

Akuzat për vjedhjen e votës së diasporës, Topalli: E kam parë me sytë e mi që…
14 Maj, 2025

Njëjtë si kryedemokrati, edhe drejtuesja politike e PD-së për diasporën Jozefina Topalli pretendon se votat janë manipuluar masivisht në rang...

Lexo më shumë

Presion ndaj administratës? Balluku në ‘Opinion’: Nuk i njoh drejtorët e Fierit!

Presion ndaj administratës? Balluku në ‘Opinion’: Nuk i njoh drejtorët e Fierit!
14 Maj, 2025

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Belinda Balluku, pati një lidhje live mbrëmjen e sotme me emisionin...

Lexo më shumë

‘Përplasje’ te Parku Olimpik për votën e diasporës? Balluku: Lapaj kërkoi rinumërim

‘Përplasje’ te Parku Olimpik për votën e diasporës? Balluku: Lapaj kërkoi rinumërim
14 Maj, 2025

Nga Parku Olimpik, drejtuesja e PS-së në qarkun e Fierit, Belinda Balluku foli për rezultatet e deritanishme, duke shprehur mirënjohje...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com