TIRANE- Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryetari Lulzim Basha e konsideroi të drejtë mbajtjen në arrest me burg të bandës së Shullazit. Sipas tij, ky është një vendim i shumë pritur. Ai tha se Partia Demokratike do ta montitorojë deri në fund këtë proces.
Basha kërkoi largimin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin e akuzoi si të lidhur me krimin. Sipas kreut të PD, largimi i Tahiri është një nevojë emergjente dhe parakusht për prerë ecjen e procesit ndaj Shullazit.
Basha: Rama dhe Tahiri po bëjnë çdo gjë që Emiljano Shullazi mos të flasë
Lulzim Basha: Shqiptarët po mësojnë disa të vërteta, se si Shullazi me lidhjet e tij qeveritare është pasuruar këto dy vite, duke iu vënë pistoletën në kokë biznesmenëve, se si Shullazët ja kanë dalë të përfitojnë shuma marramendëse duke i vënë pronarët e bizneseve para zgjedhjes: o vë firmën mbi tjetërsimin e pronës ose jetën. Shqiptarët po mësojnë se si Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë bërë atë që ka kërkuar dhe kërkon Emiljano Shullazi dhe në këmbim edhe Shullazi bën atë që i kërkon Edi Rama dhe Sajmir Tahiri. Rasti i Shullazit nuk është as fundi dhe as fillimi. Dje patëm në Fushë Arrës rastin e vëllait të kryetarit të bashkisë, që u arrestua dhe pak orë më vonë u lirua sepse deputeti Pjerin Ndreu u gjend në Fushë Arrës dhe zgjodhi të festonte. Rama dhe Tahiri janë në këmbë dhe po bëjnë cdo gjë që Shullazi mos thotë asgjë që di. Shteti dhe media e kapur nga shteti është në dispozcion të Shullazit. Edi Rama dhe Saimir Tahiri jamë në zi, janë dhe në këmbë për ta ndalur këtë hetim. Do ta monitorojmë deri në fund këtë proces. Ndaj është emergjente largimi i Sajmir Tahirit, një njeriu të njohur për lidhjet e tij me krimin. Fakte tronditëse presin të dalin në dritë.