Dëshmia e një biznesmeni duralumini nga Lushnja mësohet të jetë përdorur në gjyqin e Apelit nga Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda,duke bindur gjykatën që të lerë në burg Emiljano Shullazin, djalin e xhaxhait të tij, Blerim Shullazi dhe Gilmando Danin. Bëhet fjalë për një biznesmen që në 25 janar 2016, në biznesin e tij shpërthe një sasi e vogël tritoli. Prokurorët kanë përdorur një material të tërhequr nga prokuroria e Lushnjës, dhe më konkretisht dëshminë e biznesmenit Adriatik Kërçuku, të cilën e kanë përdorur si provë të re kundër Shullazit dhe dy personave të tjerë të arrestuar, shkruan Shqiptarja.com.
Nisur nga ky element i ri, ata kanë kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, masë kjo që është pranuar në fund të seancës gjyqësore nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Kërçuku, rezulton të ketë depozituar një dëshmi në komisaritin e Lushnjës dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku tregonte se në muajin Janar 2016 është telefonuar nga një numër i panjohur duke i kërkuar takim, por ai i është përgjigjur se s’mund të takoheshin pasi atë ditë ndodhej në Durrës. Sipas dëshmisë së biznesmenit të aluminit, telefonata e panjohur është kryer pas vizitës që katër djem të panjohur kanë kryer në biznesin e tij në autostradë, afër Lushnjës.