Ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit Andrea Memollari, 20vjecari që shtypi më makinën e tij nënën e dy fëmijëve, Dhurata Prifti, vetëm dy ditë më parë, në afërsi të Arkivës së Shtetit, duke lënë të rebeluar mijëra vetë që e panë videon e tmerrit.
Pyetur nga gazetarët para se të niste seanca ai ka dekaruar se “jam penduar, nuk e bëra me dashje”. Sot, gjykata pritet të caktojë masën e sigurisë ndaj të riut që la pa jetë nënën e dy fëmijëve, e cila u hodh me trupin e saj të shpëtonte dy djemtë.
Sipas ekspertizës, rezulton se, shpejtësia e makinës ka qenë 35 km/orë, semafori ka qenë portokalli dhe pas goditjes së parë, sipas ekspertëve, Memollari nuk ka bërë asgjë për të minimizuar pasojat, madje ka shtuar shpejtësinë, duke i dhënë gaz mjetit. Sipas ekspertizës mjeko – ligjore rezulton se Dhurata Prifti ka marrë plagë të tilla që kanë shkaktuar shokun e rëndë traumatiko – hemoragjik. Sipas mjekëve, tek viktima janë konstatuar dëmtime të rënda të indit trunor, dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në gjymtyrët e sipërme. Andrea Memollari akuzohet nga Prokuroria për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke shkaktuar vdekjen e një personi”, e cila dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.