GJKKO shtyn për më 11 nëntor seancën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjykata refuzoi kërkesën për të mos pasur të dëmtuarit si palë në proces dhe për marrjen si provë të dëshmive të 9 ushtarakëve amerikanë.
Seanca e së enjtes ndaj ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme u shoqërua me momente të forta tensioni mes palëve. Debati nisi pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të ish-ministrit të akuzuar për “shpërdorim të detyrës” për shfuqizimin e vendimit të ndërmjetëm të 7 qershorit 2023, për legjitimimin si palë e dëmtuar në proces të të dëmtuarve nga shpërthimi në “Gërdec”.
Sipas avokatëve, klienti i tyre nuk akuzohej për shpërthimin, por për “shpërdorim detyre”. Pretendimi i tyre ngjalli reagim të një prej anëtarëve të familjes Durda në sallë, që tha një frazë fyese ndaj avokatit.
Teksa avokati Ardian Visha i kërkoi gjykatës të ndërhynte për situatën, familjari replikoi edhe me ish ministrin: “Fatmir, lëre mandatin dhe përballu me ligjin”.
Pas një ndërprerjeje pak minutëshe të seancës, avokatët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Gjoka, për shkak të njeanshmërisë në gjykim.
Më herët, avokatët i kërkuan gjykatës të informohej në lidhje me disa deklarime të dhëna nën betim në SHBA nga disa personalitete ushtarake, që sipas mbrojtësve, janë përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë e prej aty në Këshillim e Lartë Gjyqësor.
Nga ana e tij, i pandehuri Mediu pretendoi se gjithë ç’po ndodhte ishte politike dhe kishte për qëllim lidhjen e emrit të tij me shpërthimin.
“Meqënëse tragjedia gjithmonë krijon një opinion, nëse ju keni vendosur të vijoni këtë proces me opinion dhe jo procedurë, kjo nuk është drejtësi”, i tha Mediu gjykatës.

















